Shoqata e fermerëve mbështet taksën për importet nga Serbia

Shpërndaje

Shoqata e fermerëve taksën e vënë dje nga MTI-ja ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, e konsideron lajm të pritur qëmoti për prodhuesit kosovarë, e sidomos fermerët që janë përballur me një tregti të padrejtë nga këto dy vende.

“Viteve të fundit, për shkak të importit të pakontrolluar të qumështit dhe prodhimeve të tij, si dhe ndikimit të vajit të palmës, anëtarët e shoqatës sonë na kanë njoftuar vazhdimisht për ulje të numrit të krerëve të lopëve, andaj ne e falënderojmë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për këtë vendim si dhe e inkurajojmë për vendime të ngjashme edhe në drejtim të vajit të palmës”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.

Shoqata e fermerëve shpreson që ky vendim të ketë kohëzgjatje dhe të mos bëhet pre e interesave tregtare, si vendimet e mëhershme, ndërsa u bën thirrje institucioneve përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të jenë më vigjilentë dhe të kryejnë punën në mënyrë që të ketë një treg korrekt në vend.

Dje, Qeveria e Kosovës mori vendim për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre, duke thënë se kjo minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Kosovës.

Loading...