Statusi i popullit shqiptar në Maqedoni, interesi i shtetit dhe perspektiva evropiane e tij

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Moszgjidhja e drejtë dhe në kohë e statusit shtetformues të popullit shqiptar në Maqedoni, nuk e dëmton vetëm interesin kombëtar të shqiptarëve vendës, por edhe interesat e shtetit dhe perspektivën evropiane të tij.

Rregullimi me Kushtetutë i statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar shtetformues e forcon shtetin e Maqedonisë, kredibilitetin ndërkombëtar të tij, stabilitetin e brendshëm, paqen dhe sigurinë në vend e rajon, dhe nuk e dëmton atë.

I. Shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton dhe shumicë, jo përqindje

Mungesa e disponimit, e seriozitetit dhe përgjegjësisë së Qeverisë aktuale të Maqedonisë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje vjen nga 5 faktorë, edhe atë:

1. Klima politike aktuale e ngarkuar me probleme politike, ekonomike, kulturore dhe identitare, të trashëguara nga e kaluara;

2. Kompleksi i inferioritetit dhe frika ndër shumicën e popullit maqedonas nga humbja e identitetit përballë mohimit të vazhdueshëm të historisë, mëvetësisë kishtare, kulturës dhe gjuhës së tij nga shtetet fqinje sllave ortodokse;

3. Mospajtimi në heshtje i partnerëve shqiptarë në koalicionin aktual qeverisës, për shkak të devalvimit të nënkuptuar të Marrëveshjes së Ohrit, si adut i vetëm për ardhjen dhe qëndrimin e tyre në pushtet, si fakt që i frikëson për dobësimin dhe largimin e tyre nga skena politike;

4. Frika e pushtetit aktual nga forcimi i opozitës nacionaliste, e cila ka mbijetuar dhe mund të mbijetojë vetëm në saje të shovinizmit dhe urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve dhe forcimit të faktorit shqiptar në vend dhe rajon;

5. Vetëdija e ulët politike e banorëve sllavë të Maqedonisë, nën ndikimin afatgjatë të propagandës serbe dhe ruse, për ruajtjen e ndikimit të tyre në vend dhe rajon, për shkak të së cilës tek këta qytetarë është krijuar bindje e gabuar dhe nuk e shohin perspektivën e tyre në integrimet evropiane dhe evroatlantike të Maqedonisë.

II. Katër realiete të ndyshme mbi Maqedoninë

Aktualisht në Maqedoni jetojnë dhe zhvillohen 4 realitete të ndryshme, 3 prej të cilëve e rrezikojnë ardhmërinë evropiane të këtij shteti:

1. Realiteti maqedonas me shtresime serbe, përmes ndikimeve në sferën e kulturës dhe të traditës shtetformuese (e kaluara e pëbashkët jugosllave);

2. Realiteti maqedonas nën ndikimin bullgar, përmes gërshetimit të të historië dhe të gjuhës;

3. Realiteti maqedonas përballë kushtëzimeve greke për ndryshimin e emrit të shtetit, dhe të një pjese të historisë dhe kulturës që lidhet me të kaluarën antike, si dhe presionit nga faktori ndërkombëtar, për shkak të nevojës për zgjidhjen e problemeve që e kanë kërcënuar një periudhë të gjatë qenien kombëtare maqedonase dhe ekzistenëcën e shtetit të Maqedonisë;

4. Realiteti shqiptar, i veçantë për shkak të traditave shtetformuese, identitetit, kulturës, gjuhës dhe veçorive kombëtare të dallueshme nga populli maqedonas dhe bashkësitë tjera etnike sllave, serbët, bullgarët etj., por që nuk e rrezikon me asgjë identitetin e popullit maqedonas dhe të bashkësive të tjera etnike, aq më pak orientimin evropian dhe procesin e integrimeve evroatlantike të Maqedonisë Veriore, anëtarësimin në NATO dhe BE.

III. Pasojat nga moszgjidhja e drejtë e statusit shtetformues të popullit shqiptar në Maqedoni

Mos zgjidhja e drejtë dhe sa më parë i statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në Maqedoni nuk e dëmton vetëm interesin kombëtar të shqiptarëve, për shkak se ata kanë edhe alternativa të tjera të hapura dhe reale për ardhmërinë e tyre të sigurt, por kjo e dëmton në radhë të parë interesin e vetë shtetit të Maqedonisë, stabilitetin politik dhe ekonomik, sigurinë e brendshme të shtetit, progresin shoqëror dhe orientimin e evropian të Maqedonisë Veriore.

(30.XI.2018)

Loading...