Theresa May e lumtur që BE-ja miratoi marrëveshjen për Brexitin
Mëngjesin e së dielës, liderët e BE-së u mblodhën për një samit në Bruksel.
Ata diskutuan për marrëveshjen e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, të cilën e miratuan më pak së një orë pasi filloi debati.
27 udhëheqësit e dhanë përkrahjen e tyre, pasi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, paraprakisht rekomandoi që BE-ja ta miratojë marrëveshjen e Brexitit, raporton KTV.
Rekomandimi u bë pasi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, mori garanci nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për Gjibraltarin dhe u tërhoq nga kërcënimi për ta bojkotuar samitin.
E lumtur u pa kryeministrja britanike, Theresa May, e cila është shprehur optimiste se shteti i saj do të përfitojë nga kjo marrëveshje.
Teksti i marrëveshjes, i përgatitur nga negociatorë të BE-së dhe Britanisë së Madhe, pritet të sigurojë qartësi ligjore për të gjitha çështjet që do të dalin si rezultat i Brexitit.
Me dokumentin e deklaratës politike planifikohet që t’u jepet drejtim marrëdhënieve që do të ndërtohen në të ardhmen mes Britanisë dhe BE-së.
Pas kësaj, dokumentin prej 585 faqesh duhet ta miratojë Parlamenti Evropian dhe Parlamenti i Britanisë.
Përndryshe, Britania e Madhe, në referendumin e mbajtur më 23 qershor të vitit 2016, kishte marrë vendim që të largohet nga BE-ja, ndërsa më 29 mars të 2019-ës zyrtarisht do të largohet nga BE-ja.