Ahmeti për ndryshimet kushtetuese: Opozita të përfshihet në proces

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i bëri thirrje opozitës maqedonase dhe asaj greke që të kyçen në pjesën përfundimtare të procesit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës.

Lideri i BDI-së theksoi se më 9 janar fillon ndërtimi i historisë më të re, ndërsa opozitat e dy vendeve duhet të jenë pjesë e këtyre vendimeve.

“Ndaj i bëjmë thirrje opozitës në të dyja anët që të kyçen në lojën vendimtare për suksesin përfundimtar. Më 9 janar, fillon seanca për ndërtimin e historisë më të re të këtij shteti, shtet i organizuar dhe i pranuar në të gjitha strukturat, NATO, BE, në miqësi e harmoni me të gjitha vendet e rajonit”, deklaroi Ahmeti.

Partia opozitare VMRO-DPMNE tashmë disa ditë ka njoftuar se tërhiqet nga faza përfundimtare e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për shkak të mungesës së procesit inkluziv. Nga ana tjetër, opozita greke ka njoftuar se asnjëherë nuk do ta mbështet ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ndryshimet kushtetuese janë në fazën e propozimit të amendamenteve ndaj propozim-amendamenteve të Qeverisë. Afati përfundimtarë është 31 dhjetori. Seanca plenare për miratimin e tyre është thirrur më 9 janar, ndërsa Kuvendi pret që procesi të përmbyllet më 15 janar.

Loading...