Dështon Rezoluta e LDK-së dhe VV-së për vizat

Shpërndaje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk miratuan rezolutën e dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes lidhur me dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Me 40 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, deputetët nuk miratuan Rezolutën e propozuar nga dy partitë opozitare.

Shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se për këtë rezolutë nuk ka harmonizim të qëndrimeve të partive parlamentare, megjithatë kërkoi që Rezoluta të hidhet në votim.

Ndryshe, të martën u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e kërkuar nga LDK dhe VV lidhur me dështimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë seancë u vendos që Rezoluta për këtë çështje të hidhet në votim në seancën e sotme.

LDK dhe VV kishin propozuar për miratim në Kuvend këtë Rezolutë:

  1. Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
  2. Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.
  3. Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë. /Telegrafi/

Loading...