Fitojnë “jelekë verdhët” në Paris, qeveria franceze do të pezullojë rritjen e taksës së karburantit

Shpërndaje

Kryeministri Édouard Philippe pritet të njoftojë pezullimin e planit të qeverisë franceze për rritjen e taksës së karburantit, pas shpërthimit të protestave të cilat po bëhen gjithnjë e më të dhunshme, thuhet në njoftimet e ndryshme të mediave franceze.

Ditën e sotme kryesministri francez do të takohet me të gjithë ministrat e kabinetit për t’i dhënë fund situatës së trazirave, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve në Paris si pasojë e protestave për vendosjen e një takse të re ekologjike.

Presidenti Macron dukej në fillim i vendosur për të mos ndryshuar asgjë nga plani i rritjes së taksës së naftës dhe benzinës, por duke qenë se dhuna e shfaqur në rrugët e Parisit është më e ashpra gjatë gjysmë shekullit të fundit, ai është detyruar t’i rishqyrtojë ato.

AFP njoftoi mëngjesin e kësaj të marte se Krysministri i vendit do të njoftojë pezullimin e rritjes së taksës së karburantit. Ditën e djeshme është zhvilluar gjithashtu një mbledhje emergjente e kabinetit në Elysee për të diskutuar në lidhje me krizën politike dhe atë sociale që po kalon vendi dhe që konsiderohet si një ndër më të rëndat e viteve të fundit.

Gjatë ditëve të protestës, e cila po zgjat mbi tre javë, protestuesit i kanë rritur kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe dorëheqjen e Macronit dhe shpërbërjen e parlamentit francez.

Presidenti Macron ka shtyrë vizitën e tij dy-ditore gjatë kësaj jave në Serbi, për t’u marrë më nga afër me krizën. Bilanci i kësaj proteste të deritanishme është : 378 persona të arrestuar, të grupmoshës 30 deri në 40 vjeç dhe që kishin ardhur nga qytete të tjera franceze për t’u përballur me forcat e policisë.

Loading...