Hungari, vazhdojnë protestat kundër “ligjit të skllevërve”

Shpërndaje

Dy deputetë opozitarë hungarezë u nxorën jashtë nga zyrat e televizionit kombëtar, pasi u përpoqën të lexonin në transmetim një peticion kundër ligjeve të reja të punës.

Një video tregonte një nga deputetët, që përpiqej të ngjitej mbi një parmak shkallësh, para se të tërhiqej jashtë ndërtesës.

Disa deputetë qëndruan gjatë të gjithë natës para zyrave të televizionit, në shenjë proteste kundër atyre që ata i quajnë “ligjet e skllavërimit”.

Rregullat e reja bëjnë që kompania të mund të kërkojë deri në 400 orë punë jashtë orarit në vit, e të vonojë pagesat për punonjësit deri në 3 vite. Në Hungari po protestohet prej 5 ditësh radhazi kundër reformës, me rreth 10 mijë vetë që u mblodhën në Budapest të dielën.

Demonstrime të tilla janë të rralla në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban dhe politikat e tij gëzojnë mbështetje, pavarësisht dënimeve të përsëritura të vendeve të tjera të BE-së. Qeveria thotë se, reforma e punës do të jetë në të mirë të punonjësve, por edhe kompanive që duan të plotësojnë vendet vakante të punës./TCH/

Loading...