Ish-luftëtari i UÇK-së Sabahajdin Cena, i ftuari tjetër në Hagë

Shpërndaje

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Pashtrikut, Sabahajdin Cena, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar nga Prokuroria e Specializuar.

Këtë e ka bërë të ditur Cena përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ku ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Prokuroria e Specializuar , që më datë 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“E ndiej për obligim qytetar që t’iu informoj se unë kam pranuar ftesë që më datë 14 janar 2019 të paraqitem pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut”, ka shkruar Cena.

Ai po ashtu ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Ne besojmë në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe vlerat e saja nuk mund të kontestohen nga askush, nuk kemi asnjë arsye që t’i shmangemi organeve të drejtësisë dhe do të jemi në dispozicion të çfarëdo thirrje për të zbardhur të vërtetën”, ka thënë Cena.

Sabahajdin Cena është personi i tetë i konfirmuar që është thirrur për intervistim nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë.

Loading...