Konjufca: Më kujtohet një titull për liberalizimin e vizave në një gazetë në Kosovë, në vitin 2009

Shpërndaje

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë seancës së jashtëzakonshme në të cilën po diskutohet rreth dështimit të institucioneve në Kosovë rreth liberalizimit të vizave.

Në fillim të fjalimit të tij, Konjufca ka rikujtuar një premtim të tani presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sipas tij, që në vitin 2009 kishte premtuar liberalizimin e vizave.

“Po më kujtohet si sot faqja e parë e një gazete në Kosovë, gazetë ditore, më kujtohet faqja e parë, fotografia e kryeministrit atëbotë Hashim Thaçit në të cilin artikull shkruante: Thaçi: Liberalizimi i vizave do të vijë në vitin 2009”, ka thënë Konjufca.

E sipas tij, ky premtim ka ndodhur çdo vit, që nga viti 2009.

“Paramendoni, premtimi ishte bërë tri vjet para se me ardhë udhërrëfyesi, i cili erdhi në vitin 2012”, ka thënë tutje Konjufca.

Dhe sipas Konjufcës, faj ka edhe kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj.

“Tash kryeministri aktual që e kemi në njëfarë mënyre bashkë me presidentin i bindën qytetarët e Kosovës që ka mbetur vetëm edhe një kusht dhe do të bëhet liberalizimi, vetëm që të bëhet demarkacioni me Malin e Zi. Dhe premtimi i kryeministrit të tashëm ka qenë se liberalizimi do të ndodhë tre muaj pasi të kalohet demarkacioni me Malin e Zi. Kjo tregon joseriozitetin e kësaj qeverie dhe politikanëve”, ka thënë ndër tjerash Konjufca.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur nga opozita (LDK dhe VV) pas dështimit për liberalizim vizash ka nisur në orën 20:00.

Vendimi për mbajtjen e kësaj seance erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe pas kërkesës së dytë të opozitës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për në orën 20:00.

Në këtë seancë do të diskutohet për dështimin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. /Telegrafi/

Loading...