Mashtrimi dhe fyerja e radhës e shqiptarëve nga ana e SDSM-së

Shpërndaje

Nga, Arben Fetai

Haxhiu i SDSM-së, Muhamed Zekiri, e paska propozuar një amandament gjoja të kompromisit përmes së cilit “nënshtetësia do të jetë maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore, që nuk e përcakton dhe nuk e predikon përkatësinë etnike të qytetarëve.”

E para, ky propozim krijon huti dhe pasiguri ligjore duke u dhënë kuptime ambivalente konceptit të shtetësisë, kombit dhe etnisë. Kushtetuta i njeh vetëm kombësitë (maqedonasit janë vetëm njëra prej tyre) por jo edhe etnitë, të cilat nuk ekzistojnë si kategori kushtetuese. Veç kësaj, etnia dhe kombësia janë koncepte që mund të koincidojnë, si në rastin e shqiptarëve, por edhe mund të bashkëjetojnë krah për krah njëratjetrës. Për shembull, mund të identifikohesh etnikisht si tërbesh dhe kombëtarisht si maqedonas në të njejtën kohë.

Dhe e dyta, përdorimi i fjalës etni nga ana e SDSM-së në këtë kontekst është makiavelik dhe përkon me planin e tyre për të ndërtuar shtetin-komb maqedonas përmes maqedonizimit të votës shqiptare. Zekiri natyrshëm është vegla më e mirë SDSM-së drejt këtij qëllimi dhe jo rastësisht ai del me këtë propozim i cili tenton t’i reduktojë kombësitë në përkatësinë e tyre etnike (gjuha, kultura, feja, traditat, muzika, etj), duke i çveshur kështu nga ajo që e karakterizon kombin si organizatë politike: një popull i bashkuar rreth një projekti të përbashkët politik.

Ky amandament nuk guxon as të diskutohet e lëre më të votohet nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë. Shqiptarët janë komb dhe ata mund të identifikohen vetëm si qytetarë të Republikës së Maqedonise Veriore, as si maqedonas e as si etni. Ndërsa Haxhiu le të identifikohet si ia don qejfi për vete, shqiptarët moti nuk presin gjë nga ai.

Loading...