Mogerini thërret Edi Ramën në Bruksel

Shpërndaje

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Sigurinë dhe zëvendëspresidente te Komisionit Europian, Federica Mogherini, ka thirrur për një takim informal, liderët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, raporton noa.al duke cituar një njoftim të BE në Bruksel.

NOA mëson se takimi do të zhvillohet të mërkurën më 19 dhjetor 2018 në Bruksel. Në takim do të marrë pjesë gjithashtu edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn. Në këtë takim do të diskutohet për zhvillimet e fundit në rajon, mbi atë çka është bërë gjatë vitit që po mbyllet në vendet pjesëmarrëse në takim, si dhe për atë që pritet të realizohet vitin e ardhshëm. Më herët po më 19 dhjetor, Mogherini do të takohet pak para mbledhjes me liderët e Ballkanit Perëndimor, edhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Po në këtë ditë, në Bruksel do të jenë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic dhe presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos të cilët do të priten nga Junker. Nga Shqipëria, pritet që në këtë takim të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama. Ikja e Ramës në Bruksel, vjen ndërsa vendi është përfshirë nga një valë protestash që po zgjasin prej disa javësh. Deri sot, diplomacia ndërkombëtare ka heshtur për të gjitha protestat që janë duke u zhvilluar në vend.

Loading...