Ndryshimet kushtetuese në fazën finale

Shpërndaje

Rreth një muaj kanë mbetur deri në përmbylljen e procesit të ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës. Kreu i Kuvendit dje ka paralajmëruar që me 15 janar të vitit të ardhshëm do të përfundojë edhe procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Dje kanë përfunduar pesë debatet publike lidhur me ndryshimet kushtetuese, ndërkaq dy ditë pas përfundimit të debatit, Qeveria si propozues duhet të dorëzojë raportin nga diskutimet publike si dhe propozim tekstin e amendamenteve kushtetuese deri tek Kuvendi. Pas kësaj kreu i Kuvendit duhet të caktojë seancën plenare më së paku pas 30 ditësh dhe në këtë fazë edhe deputetët mund të dorëzojnë amendamente ndaj amendamenteve kushtetuese.

Amendamentet kushtetuese do të konsiderohen të miratuara nëse për to votojnë 80 deputetë. Për amendamentin e Preambulës së Kushtetutës përveç dy të tretave, i nevojshëm është edhe votimi me Badenter.

Seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese pritet të mbahet të hënën e ardhshme, më 17 dhjetor, ku do të diskutohen dhe votohen të katër amendamentet një nga një. Seanca plenare në lexim të tretë pritet të caktohet për më 9 janar dhe të përfundojë më 15 janar.

Pasi të përfundojë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, menjëherë pritet që në Athinë të fillojë procedura për miratimin e Marrëveshjes së Prespës dhe protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Me amendamentin e parë parashihet që në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36, i cili e ka aspektin historik dhe ka të bëjë me “të drejtat e veçanta sociale të luftëtarëve të Luftës Antifashiste dhe prej të gjitha luftërave nacionalçlirimtare të Maqedonisë”. Me amendamentin e dytë intervenohet në Preambulën e Kushtetutës dhe fjalët “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “Manifesti i Seancës së Parë të KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit. Amendamenti i tretë thekson se “Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, ndërsa amendamenti  i katërt ka të bëjë me atë që të parashihet se “Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të vet të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe I zhvillon lidhjet e tyre me atdheun ndërsa nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.

Kujtojmë se më 19 tetor deputetët në Kuvend me 80 vota “për” sollën vendim për hapjen e Kushtetutës dhe ndryshimin e saj sipas Marrëveshjes së Prespës. “Pro” ndryshimeve kushtetuese votuan edhe tetë deputetë të VMRO-së dhe koalicionit të saj./SHENJA/

Loading...