Paralajmërohen hetime për çmimet e naftës në Kosovë

Shpërndaje

Kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se nesër do të kërkojë nga Prokuroria Speciale e Kosovës ta hetojnë së bashku industrinë e naftës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Prestreshi thotë se kompanitë vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta pavarësisht se ato kanë shënuar rënie në botë.

“Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK nga këndvështrimi civil”, ka shkruar Prestreshi.

“Kodi penal i Republikës së Kosovës përkatësisht neni 301 citoi: Keqpërdorimi i pozitës së monopolit:

1. Personi përgjegjës që ushtron një apo më shumë nga veprimtaritë ekonomike në vijim, të cilat keqpërdorin pozitën monopoliste apo dominuese në treg apo në një pjesë substanciale të tregut, duke u përfshirë në një apo më shumë nga veprimtaritë në vijim, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, nëse:

1.1. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vë çmime të padrejta të blerjes apo të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare;

1.2. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë rregullon çmimet e blerjes apo të shitjes ose kushtet tjera të tregtisë;

Ndryshe, prej muajsh çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të mbetet 1 euro 20 cent, apo 30 cent më shtrenjtë se në rajon.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka vendosur në fillim të muajit të zvogëlojë nxjerrjen e naftës për rreth 1,2 million barela në ditë duke nisur nga janari me qëllim të ndaljes së rënies së çmimeve./Telegrafi

Loading...