Protestuesit në Britani kërkojnë referendum për BREXIT-in

Shpërndaje

Kritikët e marrëveshjes së Britanisë për largimin nga BE-ja po bëjnë thirrje për rinegocimin e kushteve të vendosura. Marrëveshja e arritur që pritej të votohej në dhomën e ulët të parlamentit britanik të martën është shtyrë nga Kryeministrja May. Marrëveshja kundërshtohet nga kritikët mes radhëve të mbështetësve të Brexit-it, si dhe nga ata që dëshirojnë qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Evropian. Qeveria paralajmëroi se nëse ligjvënësit kundërshtojnë marrëveshjen e arritur, rrezikohet që Britania të mbetet në Bashkimin Evropian.

Politikanë dhe kundërshtuesit e Brexit u mblodhën në Londër të dielën për të denoncuar marrëveshjen e arritur, e cila do të votohej të martën në parlament.

“Brexit do të dëmtojë standartet tona mjedisore, të drejtat e punës, të drejtat e njeriut. Shtetasit e BE-së që krijuan këtu në mirëbesim jetën e tyre, tashmë ndjehen jo të mirëpritur. Ne do ta refuzojmë Brexit-in, pasi nuk është lloji i politikës që ne dëshirojmë”, deklaroi deputetja e Partisë së Gjelbër, Caroline Lucas.

Në referendumin e vitit 2016, gati 52% e votuesve mbështetën Brexit-in, daljen e Britanisë nga blloku prej 28 vendesh. Por, edhe ndër ata që votuan për Brexit-in ka të pakënaqur me marrëveshjen e arritur dhe kërkojnë që edhe ajo të kalojë në referendum.

“Qeveria jonë ka risjellë një të ashtuquajtur marrëveshje, e cila na lidh edhe më shumë me Bashkimin Evropian, por na heq përfaqësimin. Nuk është fare Brexit, ndërsa ata po e paraqesin si të tillë. Ne jemi këtu që ta nxjerrim në pah këtë tradhëti”, thotë Diane Rose, protestuese nga Tottenhami.

Aktivistët e lëvizjes “Vota e Popullit” thonë se po rritet mbështetja për një referendum për marrëveshjen.

“Për shkak se nuk janë të kënaqur me marrëveshjen edhe ata që duan largimin po kuptojnë se janë mashtruar. Nuk zgjidh asnjë nga çështjet për të cilat ata votuan në favor të largimit nga BE-ja. Tani po fillojnë të kuptojnë se problemi i vërtetë është vetë qeveria britanike”, thotë David Hardman, aktivist i lëvizjes “Vota e Popullit”.

Kritikët thonë se marrëveshja nuk është e dobishme për Britaninë dhe se nuk është e qartë sa ç’duhet për të ardhmen e marrëdhënies tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian. Shumë parashikojnë se nuk do të mbështet nga parlamenti. Ministri për Brexit-in, Stephen Barclay, tha se një refuzim i marrëveshjes do të ishte keq për vendin.

“Mund ta them qartë se pasojë e mosmiratimit në parlament do të jetë pasiguria për biznesin dhe vendet e punës”, tha zoti Barclay.

Kryeministrja konservatore britanike, Theresa May, paralajmëroi se refuzimi nga parlamenti i Brexit-it do ta linte Britaninë brenda Bashkimit Evropian dhe do të sillte në pushtet Partinë Laburiste.

Loading...