Thaçi: Pas ushtrisë, zotohemi se do të ndërtojmë Kosovën

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në oborr të Kuvendit të Kosovës për të mbajtur një konferencë për media, ku ka uruar qytetarët për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai edhe sot ka mbajtur të veshur një uniformë ushtarake, njëjtë si ditën e djeshme.

Tutje, ai e ka quajtur këtë ditë si historike.

“Sot është ditë historike për Republikën e Kosovës, për shtetin tonë. Është datë e jashtëzakonshme. Kjo është një e arritur historike dhe e arritur e jona. Ushtria e Kosovës dhe vet shteti do të jenë multietnike, funksionale, në shërbim të qytetarëve, për paqe në rajon dhe kudo në botë”, tha para mediave presidenti Thaçi.

Gjatë kohës sa ishte duke e mbajtur konferencën për media, në oborr të Kuvendit kaloi edhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët i shkëmbyen disa fjale.

Thaçi u dëgjua duke i thënë Haradinajt, “Urime edhe ty Kryeministër”.

Tutje, Thaçi ka kujtuar të gjithë dëshmorët e luftëtarët e Kosovës duke u zotuar se do të punojnë në ndërtimin e Kosovës.

“Sot kujtojmë edhe njëherë dëshmorët, luftëtarët, veteranët, familjet e dëshmorëve, kujtojmë të gjithë ato sakrifica port zotohemi ta ndërtojmë Kosovën e re, evropiane, multinentike dhe Kosovës që të jetë pjesë e BE-së, NATO-së e Kombeve të Bashkuara”, tha në mes tjerash Thaçi.

Loading...