Tiranë, protesta e studentëve ndërpritet të premten, vijon pas pushimeve

Shpërndaje

Në Tiranë, studentët kanë marshuar edhe këtë të mërkurë në drejtim të Kryeministrisë. Në ditën e gjashtëmbëdhjetë të protestës, studentët kanë nënshkruar një peticion sipas të cilit vendosin që të bojkotojnë auditoret deri në plotësimin e kërkesave. Ata kanë vendosur që protestat të zgjasin deri të premten dhe më pas të vijojnë edhe pas pushimeve. Ndërkohë kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me studentët e Universitetit të Vlorës. Në fjalën e mbajtur, studentët ikanë kërkuar Ramës plotësimin e 8 kërkesave. Ata kanë refuzuar çdo dialog, deri në plotësimin e kërkesave. Një prej studenteve i bëri të qartë kryeministrit se 8 pikat janë dhe duhet vetëm t’i zbatojë. “Duhet të kuptohet diçka nga të gjithë të pranishmit, që nga ju si kryeministër. Duhet të kuptohet se ne nuk kemi protestuar kot, nuk jemi budallenj. Ne nuk jemi me partitë politike. Ju zotëri i keni 8 pika, të zezën mbi të bardhë”, theksoi ajo. Një tjetër student i tha kreut të qeverisë shqiptare se sjellja e tij ndaj tyre nuk është korrekte.

Unë ju them jam dakord, me 8 pikat jam dakord, tani çfarë doni… Doni që ta udhëheq unë protestën. Ju protestën po e çoni për lesh. Unë dua që kërkesat të bëhen angazhim të universiteteve, qeverisë dhe studentëve. Do ta ndryshosh këtë bashkë me mua, apo je ai që rri jashtë me megafon e thua Thellohu! Thellohu! Nuk e ka mundësinë qeveria se i kemi dhënë autonomi, si mendon t’ia heqim?! Dmth të kthehemi në komunizëm” – u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Loading...