Zaev që u bë kryeministër me votat e shqiptarëve, konteston ushtrinë e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev, formimin e Ushtrisë së Kosovës e lidh me mundësinë për tensione të reja në Ballkan. Ai theksoi se Ballkani nuk ka nevojë që të shndërrohet në fuçi baruti, duke shtuar se edhe NATO ka të njëjtin qëndrim për ushtrinë e Kosovës.

Unë e di që edhe qëndrimi i NATO-s është ai – tani nuk është koha. Nuk na nevojiten tensione të reja. Edhe njëherë të mos harrojmë se Ballkani nuk do të jetë prapë “fuçi baruti”. U bëj thirrje kolegëve, kryeministrave, Presidentëve, që të kenë kujdes për hapat e tyre, sepse obligimi ynë i përbashkët si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat kemi aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, është që ta avancojmë bashkëpunimin ekonomik, të rritet zhvillimi rajonal, të sigurojmë paqe të përhershme këtu dhe të integrohemi në BE, tha Zoran Zaev, Kryeministër .

Partitë shqiptare kanë reaguar lidhur me qëndrimin e Zaevit. BDI është kundërpërgjigjur shkurt:

“Urime formimi i ushtrisë më të re të NATO-s në rajon”, uruan nga BDI.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët deklaratën e kryeministri Zaev e konsideron nacionaliste dhe dashakeqe.

Ky fjalor i Kryeministrit Zaev ndaj Ushtrisë së Kosovës vë në pikëpyetje edhe raportin e tij me SHBA-në duke lënë për të dyshuar se një Kosovë pa ushtri do t’i konvenonte vetëm Serbisë dhe Rusisë. Andaj Kryeministri Zaev bën mirë të shikojë në oborrin e tij dhe t’i bëjë reformat e duhura në Maqedoni dhe të mos përzihet në politikën e brendshme të shtetit të Kosovës. Aleanca për Shqiptarët kërkon që Kryeministri Zaev sa me parë të tërheqë deklaratën e tij dhe t’i urojë në emër të Maqedonisë Qeverisë së Kosovës për Ushtrinë e saj, thanë nga ASH.

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri vjen pas votimit të tri projektligjeve që janë: ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ligji për Forcën e Sigurisë dhe ligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Projektligji për FSK-në përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së si forcë multietnike, profesionale në mbrojtje të integritetit territorial të interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Loading...