Eliot Engel në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan, lajm i mirë për Kosovën

Shpërndaje

Kongresisti amerikan Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve, është zgjedhur kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan. Kjo po cilësohet lajm i mirë për Kosovën nga analistë dhe krerë shtetërorë në Kosovë dhe Shqipëri.

Pavarësisht kësaj, analistët vlerësojnë se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është një politikë stabile dhe nuk varet shumë prej personaliteteve që zgjidhen atje, por kjo megjithatë është një sinjal për interesimin e SHBA-së për Kosovën.

Politologu dhe analisti Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Engel është mik i madh i kosovarëve, por kjo s’ka rëndësi pasi politika nuk bëhet me interesa personale.

“Politika e Shteteve të Bashuara të Amerikës (SHBA) është një politikë stabile dhe nuk varet shumë prej personaliteteve kryesore, kushdo që vjen nëse është mik apo jo i Kosovës, sepse politika nuk bëhet me interesa personale”, ka thënë Tahiri.

Edhe politologu, Musa Preteni vlerësoi se pas veprimeve të fundit që kanë ardhur nga SHBA-të, janë sinjale të qarta që ata i kanë kthyer sytë sërish nga Kosova.

“Zgjedhja e Eliot Engel në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan është një lajm i mirë për Kosovën, duke e patur parasysh angazhimin e tij të madh gjatë viteve 90-ta për çlirimin e Kosovës e po ashtu edhe pas çlirimit për bërjen e shtetit të Kosovës. Por përveç kësaj konsideroj se lëvizjet e fundit në administratën amerikane, si drita e gjelbër për bërjen e ushtrisë dhe letra e fundit e Trump, janë sinjale të qarta që SHBA ka kthyer sytë sërish nga Kosova pas një periudhe kur Kosova zinte vend shumë të vogël në optikën amerikane të politikës së jashtme”, theksoi Preteni, për Telegrafin.

Sipas tij, përfshirja amerikane në arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtare dhe më se e domosdoshme për Kosovën.

“Pasi që linja e shtetit më të fuqishëm të botës ka qenë gjithmonë në krahë të Kosovës. Zgjedhja e Engel në krye të Komitetit për Marrëdhënie me jashtë, sidomos edhe pas letrës së presidentit Trump, e fut Kosovën fuqishëm në agjendën e politikës së jashtme amerikane pikërisht në kohën kur neve si shtet na duhet më së shumti para marrëveshjes së paralajmëruar që ende na prezantohet si shumë e mjegullt”, ka thënë ndër të tjera politologu Preteni.

Zgjedhjen e Eliot Engel në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan e kanë vlerësuar si shumë pozitive për Kosovën edhe liderët shtetërorë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Zgjedhja e Kongresistit dhe mikut tonë të madh, Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, cilësoi kongresistin Engel mbrojtësin e çështjes së shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë për tru dekada me radhë.

Ndryshe, të premten Eliot Engel, miku më i madh i shqiptarëve në Kongresin Amerikan është zgjedhur kryetar i Komitetit të fuqishëm të Marrëdhënieve me Jashtë.

Plot 30 vjet më parë, i sapo zgjedhur në Kongresin Amerikan, Engel kërkoi të ishte pjesë e këtij komiteti. Ishte ende anëtari më i ri i komitetit dhe emër gati i panjohur, kur një biznesmen dhe aktivist i ri shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari trokiti në derën e zyrës së tij, në Westchester, New York, për t’i folur për një vend në Ballkanin “e largët” që quhej Kosovë.

Ishte fillimi i një bashkëpunimi të gjatë, që do ta bënte njeriun më afërt të shqiptarëve në kryeqytetin amerikan. Sot, ai kongresist i ri është njeriu që merr në dorë zyrtarisht drejtimin e Komitetit.

Engel është edhe njujorkezi i tretë në epokën moderne amerikane që ngjitet në këtë pozitë. /Telegrafi/

Loading...