Gjykata Supreme “ja lidh duart” Janevës, Fatimes, Lençes…!

Shpërndaje

Me dyer të mbyllura, Gjykata Supreme vendosi që Prokuroria Publike Speciale të mos mund më të ngre aktakuza. Në vendimin e Supremes shpjegohet se “pas skadimit të afatit prej 18 muajsh nga marrja e lëndëve dhe materialeve të përgjuara, Prokuroria Publike Speciale më nuk është paditës i autorizuar për veprime hetimore dhe parahetimore të parashikuara me ligjin për procedurë penale”. Këtë vendim Gjykata Supreme e solli pas iniciativës së ngritur nga avokatët Elenko Millanov dhe Boro Tasevski, të cilët janë palë mbrojtëse në disa raste të ngritura nga Prokuroria Speciale.

“Kjo do me thënë që Prokuroria Speciale, nuk do të mund t’i vazhdojë më tutje në asnjërën prej atyre hetimeve ose para hetimeve që i ka udhëhequr”, tha Elenko Millanov, Avokat, Nismëtar.

Pyetje: A mund t’i dorëzojë në Prokurorinë e rregullt?

-Nuk mund t’i dorëzojë. Nëse kushdo qoftë inicion para Prokurorisë së rregullt, nëse ka procedurë të tillë, me shumë gjasa do të mundet që ata të hapin procedurë të re”, u shpreh Elenko Millanov, Avokat, Nismëtar.

Vendimi do të duhej të hyjë menjëherë në fuqi konsideron Millanov. Kjo vë në pikëpyetje 18 hetime të PPS-së si dhe 2 aktakuza të hapura pas qershorit 2017. DY prej tyre janë “Regjistrimi” dhe “Pacienti” , ndërsa sipas avokatit iniciator, lënda “Perandoria” ka dobi më të madhe. Millanov thotë se vendimi do te vlejë edhe për lëndën “Talir 2” ndërsa shtoi se do të duhej të vlejë edhe për “Talir 1”.

Nga Prokuroria Speciale Publike sot nuk pranuan që ta komentojnë vendimin e Supremes, ndërsa me qëndrim pritet të dalin ditëve në vijim. Megjithatë mbrëmë, duke folur për iniciativën e avokatëve, prokurori i speciales Trajçe Pelivanov tha se në aktakuzat e fundit dhe ato të marra nga prokuroria publike, afati i 18 muajve është respektuar.

“Në paditë e fundit që i ka ngritur Prokurori Special Publik janë procedura tashmë të filluara dhe në fazë veprimi, e që janë lëndë të marra nga Prokurori Publike të tjera dhe në këtë rast absolutisht që është respektuar afati prej 18 muajsh nga marrja, respektivisht vendosje e kompetencave reale të lëndëve nga Prokurori të tjera”, tha Trajçe Pelivanov, Prokuror Special.

Disa lëndë që tani PPS-ja i ka në dorë, kanë dalë nga Prokuroria e rregullt. Millanov mendon se ato nuk mund të rikthehen tek prokuroria e rregullt, por nëse kjo ndodh, sipas tij, përgjimet e njohura si “bomba”, nuk do të mund të përdoren si dëshmi, sepse të njëjtat janë caktuar të përdoren vetëm nga Prokuroria Speciale. Po cili do të jetë fati i Prokurorisë Speciale pas vendimit të Gjykatës Supreme?

“PPS në përputhje me ligjin me të cilin është themeluar, ka autorizim që të vazhdojë të gjitha procedurat për të cilat ka ngritur padi deri më 30 qershor ose nga momenti kur kanë ndërmarrë veprime”, u shpreh Elenko Millanov, Avokat, Nismëtar.

Neni 22 i ligjit për Prokurorisë Speciale përcakton që Prokurori i Speciales mund të ngrejë akuzë ose të urdhërojë ndalim të procedurës hetimore në periudhë jo më të gjatë se 18 muaj nga dita e marrjes së lëndëve dhe materialeve në kompetencë të tij. Afati prej 18 muajsh i PPS-së për të ngritur raste të reja duke u bazuar në materialet e përgjuara ose nga lëndët e marra nga prokuroria publike ka skaduar në 30 qershor të 2017-tës./TV21

Loading...