Haradinaj tregon se si e gjeti pa shenja jete vëllanë e tij, Luanin

Shpërndaje

​Kryeministri i Kosovës, dikur ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rrëfyer se si e ka gjetur të vrarë në terren vëllanë e tij, Luanin.

Ramush Haradinaj ka treguar në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se e kishin informuar se Luan Haradinaj ishte plagosur nga forcat serbe.

Ai ka thënë se ishte nisur menjëherë për ta ndihmuar Luan Haradinajn e për ta nxjerrë në një zonë të sigurt.

Por, Ramush Haradinaj ka thënë se kur ka mbërritur, e ka parë vëllain të plagosur në kokë, duke i rrjedhur shumë gjak.

Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se është munduar ta tërheqë nga rripi Luan Haradinajn, teksa ai nuk i përgjigjej thirrjeve të tij.

Vëllain e tij, Ramush Haradinaj ka thënë se më pas ka arritur ta tërheqë nga këmbët në një pjesë më të sigurt.

Ai ka treguar se më pas e ka parë se Luan Haradinaj kishte vdekur, dhe se i ishte shkaktuar një plagë e madhe në kokë, nga një plumb i kalibrit të madh. “Më i madh se i Kallashnikovit”, ka thënë ai në T7.

Ramush Haradinaj ka treguar se me shumë vështirësi e ka zhvendosur Luan Haradinajn nga vendi ku ishte vrarë drejt territorit të Shqipërisë.

Loading...