PËR HESHTJEN E INTELEKTUALËVE

Shpërndaje

Me qindra profesorë universitetesh, punonjës shkencorë, shkrimtarë, studiues dhe intelektualë të tjerë ka në Maqedoni, një pjesë e madhe jetojnë e punojnë edhe në Kosovë dhe në botën e jashtme. Me shumicën prej tyre, sidomos nga gjenerata e vjetër dhe e mesme, njihemi me vite e dekada; kemi bashkëpunuar dhe bashkëvepruar në kohëra më të vështira, duke kërkuar mundësi, rrugë e shtigje për realizimin e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Maqedoni dhe jo vetëm.

Sot, të gjithë e dimë se rruga jonë nga shkojmë nuk premton shumë sukses, se populli po katandiset përditë e më tepër në varfëri, zhgënjim dhe shkatërrim, nga disa grupe bandash kriminale dhe politikanë të korruptuar, ndërsa pushteti që mbijeton edhe me ndihmën tonë, si taksapagues, kontribues në shoqëri dhe biznese, të cilin e votojnë qytetarët rregullisht, me shpresë se një ditë do të bëhet më mirë. Ndërsa, përditë e më tepër po veniten edhe shpresat e fundit, përditë e më tepër qytetarët ndjehen të lodhur, të deprimuar e të zhgënjyer, kurse rinia, shpresa e vetme e së ardhmes, po largohet masovikisht në botën e jashtme, më shumë për të mbijetuar se sa për të siguruar jetë më të mirë dhe lumturi personale.

Megjithatë, pjesa dërmuese e këtyre intelektualëve as që e vrasin mendjen për këtë katandisje me përmasa të trishtueshme, jo pse nuk dinë, por pse nuk u intereson; disa duke u vetizoluar në jetën krijuese, disa të ngujuar në ndonjë karrike në periferi të pushtetit, dikush i frikësuar dhe traumatizuar nga dallaveret, intrigat, injorimi dhe poshtërimi që i ka bërë pushteti i derisotëm dhe ndonjëra nga strukturat partiake; por megjithatë, ata vazhdojnë të heshtin, të mos bëzajnë, të bëjnë sehir, disa edhe të tallen edhe nëpërgojojnë të tjerët, duke harruar se vërshima e së keqes dhe kaosi i rrëmben edhe të fajshmit edhe të pafajshmit, njësoj.

Nuk them të bashkohen si dikur, por të zgjohen e bashkërendojnë punët, së paku me ata që i ndjejnë më të afërt, më të besueshëm, dhe të nisin punë më të mira, më të dobishme, sepse sot i duhen popullit që i rriti dhe edukoi, me shpresë që të bëhen zëri i ndërgjegjes, i së vërtetës, të vihen në ballë të punës dhe detyrave me interes të përgjithshëm, sepse koha e kërkon prej tyre këtë, si detyrë të shenjtë së cilës në asnjë vend të botës dhe në asnjë kohë nuk i janë shmangur intelektualët e vërtetë, por të parët janë hidhur në betejat e mëdha, me ideale për ndryshime dhe reforma në shoqëri, për interesat e popujve të tyre dhe në dobi të njerëzimit.

Nëse vlerësoni që jemi në gjendje të mirë dhe rrugë të mbarë si popull; nëse vazhdoni si deri më sot me arsyetimin se nuk e dëgjon askush zërin tuaj, dhe për këtë duhet t’i mbyllni sytë e veshër para këtij realiteti të trishtueshëm, të gjithë së bashku do të lajthitemi rëndë. Historia edhe mund të përsëritet, por koha e humbur nuk kthehet, me këtë nuk kthehen as rrethanat e sotme, kur i duheni këtij populli më së shumti dhe mund të bëni atë që nuk kanë forcë, dije dhe mundësi ta bëjë secili. Zgjedhja është e juaja, unë vetën ua përkujtoj.

Është koha kur duhet t’u bien maskat demagogëve, ndërsa intelektualët e vërtetë shqiptarë të zgjohen dhe organizohen për një të ardhme më të mirë!

(16 janar 2018)

Loading...