Përfundon takimi i liderëve të koalicionit, deklarohet qeveria e Kosovës

Shpërndaje

Deklarata e Qeverisë së Kosovës:

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës. Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.

***

Pas më shumë se dy orësh ka përfunduar takimi i përfaqësuesve të koalicionit qeverisës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thirrur në një takim urgjent të gjithë krerët e koalicionit.

Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacoilli ishin në këtë takim, por që asnjëri nga ta nuk është prononcuar për media.

Siç merret vesh, temë e këtij takimi ka qenë taksa prej 100 për qind e vendosur për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

***

Ka përfunduar takimi mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Pas këtij takimi në të cilin morën pjesë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, i Nismas Socialdemokrate Fatmir Limaj si dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, askush nuk ka pranuar të bëjë prononcim.

***

Ka rreth dy orë që ka filluar takimi i liderëve të koalicionit qeverisës në Kosovë.

Në këtë takim pritet të vendoset nëse do të ketë ndryshime në koalicion.

Përderisa kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se aty ku është Kosova është Amerika, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë menduar njësoj për Amerikën kur kanë kur deshën ta shfuqizonin Specialen.

Në këtë takim, pavarësisht interesimit të madh të mediave, nuk janë lejuar brenda, madje as në objekt fare.

Takimi po mbahet në objektin e Qeverisë, e në të njëjtën kohë po vazhdon seanca e Kuvendit me shumë pika të rendit.

Ndryshe, të shtunën është caktuar seanca për buxhetin e vitit 2019.

Mblidhen partnerët e koalicionit qeveritar

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ka filluar takimi i koalicionit qeverisës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i pyetur rreth takimit u shpreh se aty ku është Amerika është edhe Kosova, dhe së bashku do ecin përpara.

Veseli po ashtu u shpreh se interesi i Kosovës dhe ai i Amerikës është i njëjtë.

Veseli: Ku është Amerika është edhe Kosova, ku është Kosova është edhe Amerika

“Unë nuk jam përfaqësues medial i askujt, jam kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, jam lider i koalicionit qeveritar,jam kryetar i Kuvendit, mbajnë qëndrim i cili është shtetëror i cili ka të bëjë me sovranitetin, integritetin territorial të shtetit tim edhe interesi i shtetit tim edhe interesi amerikan është një, kjo është ajo që dua ta barti për ju dhe me ju jemi bashkë, ku është Amerika është Kosova, ku është Kosova është Amerika dhe do të ecim bashkërisht përpara”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së u ka shkruar një letër ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, në të cilën i ka bërë të ditura kushtet për pezullimin e taksës 100 %.

Ai ka kërkuar nga SHBA-të dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila sipas tij duhet të përfundojë brenda 14 ditësh./BS

Loading...