Tenderë për firmën e bashkëshortes së zv.ministrit Jani Makraduli

Shpërndaje

Firma ku një nga bashkëpronarët është Maja Trendafillova Makraduli, bashkëshortja e zëvendës-ministrit Jani Makraduli, ka fituar nëntë tenderë që kushtojnë rreth 90 mijë euro në kohën kur ai është në funksion në ministrinë e Mjedisit Jetësor. Bëhet fjalë për firmën “Open Mind Solutions”, ku Trendafillova ka 25% të aksioneve, njofton Tv Telma.

Sipas të dhënave nga Byroja për furnizime publike, tenderët janë lidhur me disa agjenci shtetërore dhe ndërmarrje publike dhe kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e softuerëve për shërbime kontabiliteti dhe financa.

Zëvendës-ministri Makraduli thotë se nuk ka asgjë kundërshtuese te tenderët dhe në punën e firmës së bashkëshortes së tij. Ai thotë se kjo firmë ka fituar tenderë edhe në vitin 2010 dhe vitin 2013 për instalimin e softuerëve dhe shton se ministria ku ai punon nuk ka bashkëpunuar me këtë firmë dhe për këtë shkak nuk ka konflikt interesi.

Mbetet dyshimi nëse ky rast ka konflikt interesi duke marrë parasysh faktin se bashkëshortja e një funksionari shtetëror fiton tenderë nga institucione shtetërore. Këtë duhet ta hetojë Komisioni Anti-korrupsion por ky komision ka më shumë se një vit që nuk funksionon.

Loading...