Zgjedhjet presidenciale, apo çmenduri politike në Maqedoni?!

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Sipas medieve të vendit, njëri nga kandidatët e mundshëm për KRYETAR shteti në Maqedoni do të jetë ish studenti, protestues në Shkup më 1997 kundër arsimit në gjuhën amtare shqipe, kundër hapjes së Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe në Shkup dhe sidomos kundër Universitetit të Tetovës.

Sot na ndajnë mbi 20 vjet nga këto ngjarje të trishtueshme, të cilat kanë lënë gjurmë të errëta në historinë e këtij shteti, në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe përhapjen e frymës shoviniste e raciste nga grupe studentësh të atëhershëm, nga radhët e forumit rinor dhe aktivistë të OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE).

Këta ish studentë më vonë u ngritën në skenën politike të vendit, përparuan, u avancuan dhe shpërblyen nga partia e tyre dhe nga shteti me poste deputetësh e ministrash, në koalicion edhe me partitë shqiptare, partnere „strategjike“ afër tri dekada me radhë të kësaj partie dhe të këtyre nacional-shovinistëve të hapur e të papërmbajtur.

Kandidatë të këtillë tani u ofrohen qytetarëve të vendit për president shteti, të cilët gjuhën e dikurshme të nepërkës, tani mundohen ta shndërojnë në gjuhë miqësie, dashamirësie, në dotë të zgjatur afrimi e pajtimi, sa për t’i joshur shqiptarët të votojnë për kandidatë të këtillë, nga radhët partive dhe qytetarëve më të pamerituar të vendit.

Njëra nga parollat më të dukshme të protestave kundër arsimit shqip në Shkup, më 1997 ka qenë me këtë përmbajtje:
TË GJITHA SHKOLLAT NË GJUHËN MAQEDONASE!

Çfarë mund t’u ofrojë shqiptarëve ky kandidat për president shteti në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore, të cilat pritet të mbahen së shpejti?

Cilat do të jenë partitë shqiptare që do të mund të rreshtohen në anën e kandidatëve të këtillë, cilët do të jenë „partnerët strategjikë“ të tyre dhe cilat do të jenë mediet në gjuhën shqipe, që do të mund t’u bëjnë prezantim dhe reklama kandidatëve të këtillë, dikur me helm në gojë, zjarr e flakë kundër shqiptarëve dhe GJUHËS SHQIPE?!

Loading...