As kinezët, as Komuna as buxheti i ‘dërzhavës’, e as Ministria e Arsimit nuk do të ndërtojnë Shkollën Fillore në Reçicë të Vogël as edhe këtë vit!

Shpërndaje

Debati, i shumë hershëm i ndërtimit të Shkollës Fillore në Reçicë të Vogël ende është duke vazhduar. Nëse e mbani mend, ashtu siç u paraqit edhe tek kronika e mediumit TV 21, në emisionin debativ Click Plus kryetarja e Komunës së Tetovës premtoi se gur themeli i kësaj Shkolle do të fillojë gjatë verës së kaluar të vitit 2018! Ndërsa nga ajo ditë, edhe sot ende nuk ka asnjë lëvizje në tokën ku pritet të ndërtohet Shkolla Fillore, përveç një deponie të mbeturinave të shumta.

Nga fotoja e më poshtme, e marrë nga mediumi Portalb, është lista e Shkollave të cilat do të ndërtohen si objekte të reja në Republikën e Maqedonisë. Nga lista, nuk figuron ndërtimi i Shkollës Fillore në Reçicë të Vogël. Rikujtoj, se kryeministri Zoran Zaev këtë premtim e bëri përpara banorëve të lagjes sonë, në vitin 2017 në zgjedhje lokale. Por siç dihet, ky premtim rrjedhojën e ka pasur që moti, kur kryetarja e Komunës premtoi përpara banorëve, në vitin 2016 që të njëjtin objekt do ta ndërtojn investitor kinez, ose buxheti ‘ i dërzhavës’.

Por, as kinezët, as Komuna, as Ministria, nuk po e mbajnë premtimin e dhënë. Nxënësit e lagjes tonë, detyrohen që të kalojnë dy rrugë kryesore, njëra pjesë kalon nëpërmjet rrugës që lidh Komunën e Bogovinës me atë të Tetovës, ku shpeshherë shpejtësia e pakontrolluar e makinave sjell dhe rrezikshmëri, andaj banorët janë detyruar për të venduar ngadalësues shpejtësie, ndërsa problematike është edhe rruga që lidh Reçicën e Vogël me Universitetet dhe Rrugën Industriale, ku është gjendja e njejtë.

Nuk është problemi tek rrugët, sa mund të jetë tek numri i madh i nxënësve në Shkollën Fillore ‘Naim Frashëri’ – Teqe, dhe Shkollën Fillore ‘Përparimi’ – Reçicë e Madhe, të cilët janë të stërmbushura me nxënës dhe shpesh herë numri i tyre kalon 30-shen. Deri sa, nxënësit e lagjes Reçicë e Vogël detyrohen të mësojnë në lagje tjera, duke rrezikuar, dhe duke mësuar në ambiente të stërmbushura, shkollat e fshatrave maqedonase, mbajnë mësime edhe me 15 nxënës nëpër klasa.

Reçica e Vogël, e ka treguar dashurinë e saj për arsim në hapjen e Universitetit të Tetovës, dashurinë për edukim duke u bërë strehë e shumë studentëve. Andaj tani Reçica e Vogël, nuk kërkon as ujë që i mungon, as infrastrukturë rrugore, por kërkon vetëm një Shkollë Fillore, andaj ndërtojeni dhe mos u tallni me premtimet dhe gjendjen tonë. Mjaft rrezikuan fëmijët tonë!

Ardonit Ismaili,

Loading...