Jovevski: Lëndët nga PSP-ja, vetëm me akt të posaçëm

Shpërndaje

Prokuroria publike do të kërkojë nga Kuvendi ta bëj interpretim autentik të nenit 22 të Ligjit për Prokurori Speciale. Kjo u vendos në kolegjiumin e sotëm që u mbajt në Prokurorinë e Rregullt, pasi Supremja me mendimin e saj juridik ia lidhi duart Katica Janevës. Prokurori shtetëror tha se do të veprojnë ndaj të gjitha lëndëve për të cilat Specialja do të vlerësojë se nuk është kompetente. Por në takim nuk janë marrë vesh se cilat lëndë do i dorëzojë Janeva.

Në rastet konkrete të lëndëve që janë marrë nga kjo prokurori publike, Prokuroria speciale ka kompetenca mbi to. Nëse PSP vlerëson se më tej nuk ka kompetenca ndaj tyre, këtë duhet ta bëjë me akt dhe pas asaj ato lëndë i merr kjo prokurori- deklaroi prokurori shtetëror Lubomir Jovevski.

Jovevski nuk ka dilema- nëse marrin lëndë nga PSP-ja do të mund t’i shfrytëzojnë edhe bisedat e përgjuara.

Qëndrimi i fundit ishte pikërisht në atë drejtim, prokurorët publik vlerësojnë se të gjitha provat e siguruara deri në këtë shkallë të procesit janë siguruar në procedurë ligjore dhe janë legale dhe të njëjtat do i shfrytëzojë në procesin para gjykatave- tha ai.

Jovevski vlerëson se mendimi parimor juridik i gjykatës supreme shkel ligjshmërinë e veprimit të prokurorive.

Nëse analizohet ligji për gjykata, do të shihet se mundësia e vetme e gjykatës supreme të japë mendim parimor është vetëm në raste kur ekziston zbatim i ndryshëm i drejtësisë. Sërish do them, në këtë rast ne nuk kemi zbatim të ndryshëm të drejtësisë edhe nëse është kështu, gjykata supreme nuk ka bazë të japë mendim parimor juridik si në rastin konkret- theksoi Lubomir Jovevski.

Gjykata supreme shtatë ditë më parë doli me qëndrimin se Prokuroria Speciale pas 30 qershorit nuk ka pasur të drejtë të ngrejë aktakuza dhe hetime të reja. Për këtë shkak në pozitë të palakmueshme u gjend gjykata penale e cila kërkoi nga prokurori shtetëror të vendosë se kush është kompetente para gjykatave PSP apo PTHP (Prokuroria Themelore Publike). Me vendimin e Supremes dhjetëra hetime të PSP-së ndaj ish funksionarëve të VMRO-DPMNE-së dhe funksionarë të tanishëm të BDI-së, mbeten pezull./ALSAT/

Loading...