Kuvendi i Shqipërisë 1 minutë heshtje për tragjedinë në Maqedoni, Rama: Dikur ‘Platforma e Tiranës’ u tregua si dora e djallit, por lidhja jonë është historike e politike
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën e sotme plenare me një minutë heshtje për tragjdedinë e ndodhur dje në Maqedoni.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ftoi të gjithë deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën dje në aksidentin tragjik të ndodhur në aksin rrugor Shkup-Tetovë ku humbë jetën 15 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama e ka nisur me fjalë të ndjera për tragjedinë në Maqedoni lidhur me aksidentin automobilistik me dhjetëra viktima e të plagosur. Për koiçidencë në Kuvendin e Shqipërisë diskutimet janë për projektligjin për ratifikimin e Protokollit të NATO-s për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E ka quajtur një mishërim të lidhjes së veçantë mes dy vendeve fqinje.
“Zia e sotme në vendin fqinj e rëndon edhe më shumë peshën e faktit se fati ynë është i përbashkët. Një fat i përbashkët i cili në këtë seancë mishërohet në mënyrën më kuptimplotë me protokollin e aderimit në NATO të Maqedonisë së Veriut. Numri i viktimave dhe të plagosurve, për koincidencë më shumë shqiptarë, na e bën sot emocionalisht më të veçantë lidhjen tonë historike e politike. Kjo gjen mëshirim edhe në aktin e votimit të sotëm në Kuvend. U jemi pranë familjeve të goditura nga tragjedia, dhe do të bëjmë pjesën që na takon për të lehtësuar dhimbjen e tyre. I kemi qenë pranë vendit fqinj”, u shpreh kryeministri Rama.