LAJM I FUNDIT / Pas protestës, Basha merr vendimin për të djegur mandatet
Kryetari i PD Lulzim Basha tha se opozita ka vendosur që të djegë mandatet në parlament. Basha tha se e ka lexuar siç duhet mesazhin që i erdhi nga protesta.
Ndaj ai tha se do ti propozojë grupit parlamentar që të marrin vendimin për të djegur mandatet.
Basha: Kjo qeveri e sponsorizuar nga krimi
Kryetari i PD Lulzim Basha në fjalën e tij nga selia blu u shpreh se parlamenti sot, maxhoranca ka dalë nga bandat dhe paratë e korrupsionit. Ai shtoi se opozita e bashkuar kërkon një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
“Parlamenti shqiptar është katandisur sot në një bandë. Parlamentarët janë aty për shkak të parave të krimit dhe të bandave. Duam qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Populli shqiptar kërkon një qeveri të përfaqësuar dhe jo krim e trishtim të përditshëm. Juve ju duhet një qeveri për qytetarët dhe jo për një grusht politikanësh dhe oligarkësh të korruptuar deri në palcë. Ju duhet një qeveri për mirëqenie dhe jo të vjedhin lekët me afera të tmerrshme korruptive, duke paguar ju paratë e krimit në qeverisje. Duhet qeveri për qytetarët dhe ligjin e barabartë për të gjithë”, tha Basha.
Numri një i Partisë Demokratike tha se shqiptarët e bashkuar u bënë kundër një kryeministri të korruptuar dhe një qeverisjeje që bashkëpunon me krimin e bandat për interesa vetjake dhe jo të popullit. Basha nënvizoi se qeveria iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe tmerr, një populli të pambrojtur. Për të, qeveria njeh vetëm dhunë e rrahje, si dhe helmim të popullit shqiptar.