Mosmarrëveshjet Turqi-Greqi/Tsipras dhe Erdogan takohen nesër në Stamboll

Shpërndaje

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të takohet të martën në Stamboll me Presidentin turk, Recep Tayipp Erdogan. Ftesa ishte bërë pesë muaj më parë, kur dy politikanët e lartë ishin takuar gjatë asamblesë së OKB-së në Nju Jork. Erdogan propozoi që të zhvillonin një takim pune në Stamboll, për të diskutuar gjithë çështjet e nxehta, që nuk janë të pakta. Në anën tjetër janë të pakta pritshmëritë nga takimi i të martës.

“Por burime diplomatike thanë për Televizionin Klan se pavarësisht nga sa pritet, vlerësohet si mjaft i rëndësishëm fakti që urat e komunikimit ndërmjet të dy vendeve funksionojnë, me gjithë tensionet e vazhdueshme. Këto tensione kanë origjinë shumë të hershme, por edhe më të vonshme. Shkaku më i fundit lidhet me vendimin e drejtësisë greke për t’u dhënë azil tetë ushtarakëve turq, që u arratisën në Korrik 2016 dhe akuzohen nga Ankaraja si pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti”.

Gjithsesi, pala greke e ka marrë me shumë seriozitet udhëtimin e Kryeministrit në Stamboll. Tsipras u takua të shtunën me ambasadorin e Turqisë në Athinë dhe menjëherë më pas zhvilloi një mbledhje me ministrat kryesorë, për të shqyrtuar axhendën e bisedimeve me Presidentin Erdogan.

Ministri alternativ i punëve të Jashtme, Jorgos Katrougalos, deklaroi se synimi i Athinës është që të riaktivizohen urat e komunikimit në nivelet më të larta, me objektiv primar, uljen e tensioneve në detin Egje.

Matanë kufirit, kryetari i parlamentit turk, Binali Jildirim, deklaroi se Ankaraja synon “forcimin e miqësisë dhe pakësimin e armiqësisë” me Athinën./Tv Klan

Loading...