Politika e dështuar e shqiptarëve në Maqedoni e rrezikon të ardhmërinë e tyre

Shpërndaje

NGa, Abdulla Mehmeti

Deri kur politikanët shqiptarë në Maqedoni do t’i matin forcat mes vete, se cili do të bëhet më vasal se tjetri, jo me kundërshtarët real dhe pengesat e zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve, ndërkohë që populli shqiptar po varfërohet, zhgënjehet, shpërngulet dhe katandiset si mos më keq?

Pse nuk mund të ulen një herë si burra e të vendosin së bashku, në mos për një Platformë, së paku për një listë prioritetesh, për një strategji përmes së cilës populli shqiptar do ta ndjente veten i barabartë, i lirë, i sigurt dhe me ardhmëri më të mirë?

A kemi menduar ndonjëherë se çfarë kanë fituar dhe çfarë kanë humbur shqiptarët në këto tri dekadat e tranzicionit të dështuar? Sigurisht se do të tmerroheni nga dështimet e derisotme të politikës shqiptare!

Nëse kjo gjendje mosorganizimi, moskordinimi, stihie, mashtrimi, kaosi dhe pasigurie do të vazhdojë së paku edhe një dekadë, mbi gjysma e banorëve shqiptarë do ta braktisin vendin dhe trojet shqiptare do të mbeten bjeshkë pa të zot për t’i kullotur dhentë politikanët e sotëm, me rrezik edhe ata të mbeten barinj pa dele, vetëm me shkopin në dorë.

(11 shkurt 2019)

Loading...