Prokurorja Fetai: Mijallkov, Thaçi dhe Ibrahimi duhet dënuar (Video)

Shpërndaje

Prokurorja Fatime Fetai kërkon dënimin e Sasho Mijallkovit, Menduh Thaçit, Bedredin Ibrahimit dhe ish anëtarëve të tjerë të KSHZ së që thotë se është dëshmuar se janë fajtorë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë votimit për rivotim në Strumicë. Fetai gjatë fjalimit përfundimtar shpreson që gjykata të dënojë të akuzuarit pasi gjatë procedurës gjyqësore u dëshmuan gjithë veprimet e tyre. Sipas Fetait, për çdo pohim të Prokurorisë ka patur mbështetje me prova.

“Në fjalët hyrëse u thash se do të dëshmojmë se të akuzuarit i kanë bërë veprat penale, dhe sot jemi dëshmitarë se kjo u vërtetua. U vërtetua edhe paramendimi i Sasho Mijallkovit por edhe Menduh Thaçit për ndikim tek Bedredin Ibrahimi, për të mundësuar kandidatit të VMRO së të vazhdojë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Strumicë… Anëtarët e tjerë të KSHZ e keqpërdoren poashtu pozitën e tyre zyrtare dhe e kanë prishur votimin në Strumicë. Duke marrë parasysh se ish anëtarët e KSHZ me vetëdije i kanë bërë këto veprime, kanë bërë vepra penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, tha Fatime Fetai

Prokurorja Fatime Fetai gjatë fjalëve përfundimtare në këtë rast, tha se VMRO DPMNE ja ka qenë e njoftuar për pazarin e Sasho Mijallkovit dhe Menduh Thaçit për Strumicën, në këmbim për shërbimin në Çair.

“Kodi zgjedhor nuk është vënë aspak në funksion, por vetëm qëllimi ose misioni partiak. Është e sigurt se vendimi për prishjen e votimit ka qenë i pabazë dhe këtë gjë Stefanovska, Sajkovski dhe Ibrahimi e kanë ditur mirë. Në kutinë e votimit nuk ka patur më shumë fletëvotime se sa janë numëruar. Ibrahimi ka vepruar vetëm kur i është lajmëruar Thaçi edhe pse e ka ditur se nuk ka asnjë parregullsi. Aq më tepër që Ibrahimi gjatë diskutimit ka patur tjetër mendim, ndërsa pas telefonatës së shefit, në mënyrë magjikë ka votuar ndryshe nga mendimi i tij”, tha Fatime Fetai

Fetai është e kënaqur nga zhvillimi i procesit gjyqësor për rastin Titanik2 por kujtoi “Kakofoninë” e të akuzuarve, sidomos Bedredin Ibrahimit për të cilin tha se vazhdimisht ka bërë ankesa të pa baza.

Parregullsitë zgjedhore të 2013 tës që gjoja i kanë konstatuar të akuzuarit, kanë qenë në momentin kur për të parin e Strumicës garonin Zoran Zaev nga LSDM dhe Vasill Pishev nga VMRO DPMNE. Më 19 shkurt, fjalët përfundimtare do ti thonë të akuzuarit dhe avokatët e tyre, pastaj do të caktohet datë për vendimin. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Loading...