Rajoni

Protesta e dhunshme para Kryeministrisë, reagon ashpër Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Shpërndaje

Ka përfunduar edhe tentativa e dytë e protestuesve, për të mësyrë në objektin e kryeministrisë, pasi edhe këtë herë policia ka reaguar me gaz lotsjellës.

Fillimisht turma çau rrethimin dhe sulmoi hyrjen kryesore të kryeministrisë, por u tërhoq për disa minuta, pas hedhjes së gazit lotsjellës.

Por sapo kordoni policor u rivendos, turma u organizua sërish dhe këtë herë sulmoi nga hyrja anësore, ku është vendosur edhe instalacioni i kërpudhës.

Edhe këtë herë reagimi i policisë ishte në të njëjtën formë, duke hedhur gaz lotsjellës, gjë që solli sprapsjen e përkohshme të turmës, që gjithsesi vijon të jetë e grumbulluar para kryeministrisë.

Të gjithë zyrtarët e lartë politikë të opozitës, nuk japin një afat për mbylljen e protestës, por lanë të kuptohet se do të vijojë përtej ditës së sotme.

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar në Twitter.

“U bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë.

Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona!” shkruan ai.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Loading...