Si dështoi skenari i Bashës për të rrëzuar Ramën
Protesta e sotme e opozitës, e cila kaloi në dhunë, tension, përleshje me policinë, shkaktoi tym dhe flakë, tregoi edhe një herë se Shqipëria i ka akoma të pambyllura plagët me të shkuarën.
Për fat të mirë nuk pati viktima si në 21 janar, apo manifestime të ngjashme. Po lind pyetja, mbyllja e saj pas thuajse 5 orësh, e proklamuar me krenari nga Lulzim Basha para zyrës së kryeministrit Rama, është meritë e durimit të kreut të PD-së, apo një tërheqje taktike, në formë paralajmërimi?
Mbyllja e saj, u duk më shumë një skenar i dështuar edhe këtë herë, sepse para kësaj proteste, Basha dhe deputetë të ndryshëm demokratë, kishin premtuar se do të futeshin në Kryeministri dhe do të ngujoheshin aty deri në rrëzimin apo dorëheqjen e Ramës.
Basha e di shumë mirë që nuk vjen dot në pushtet me dhunë, një apel të tillë e mori edhe nga ndërkombëtarët, ndaj mbledhja e atyre qindra mijërave njerëzve në shesh, konsiderohet një nul.
Në të vërtetë, Basha mbahet mend për “mbyllës” protestash, kur ato arrinin kulmin dhe kalonin në dhunë, siç ndodhi verën e shkuar kur u sulmua godina e Ministrisë së Brendshme në një protestë të thirrur nga opozita.
Megjithatë, në fjalën e tij krydemokrati tha se protesta ia arriti qëllimit në vetvete, duke lënë takimin e radhës të enjten që vjen. Një ndërprerje që ul vrullin dhe tempin dhe gjasat janë që të bjerë edhe fryma e saj./Gazeta Shqip