Tetovari lë Zvicrën, shkëlqen me dizajnin e mobilieve në Indonezi (FOTO)

Shpërndaje

Për vetëm 3 vjet sa është aktiv në Panairin e Singaporit, Lirim Ibrahimi nga Tetova, me firmën e tij “Jatra Design Studio” tashmë ka fituar, veç tjerash, edhe çmimin “Bestdesign 2017 ”. Biznesi që drejton ai, eksporton mobilie në 25 vende të botës.

Në vitin 2005 shqiptari nga Maqedonia, i cili ka jetuar në Zvicër, Lirim Ibrahimi, në bashkëpunim me Dina Istova nga Indonezia themeloi firmën e quajtur “Jatra Design Studio” me prodhime unike, por që në përbërje të tyre si element kryesor kanë drurin.

E gjithë puna e ”Jatra Design” është e veçantë dhe vjen si rezultat i kreativitetit artistik dhe zotërimit në mënyrë kulminante të zejes. Kompania e 42-vjeçarit nga Maqedonia, duke eksportuar mobile në 25 vende të botës, tashmë ka bërë një emër të nderuar.

“E nisëm ashtu prej zeros. Kemi gjetur disa shtetas gjermanë që qëndronin në Indonezi. Filluam me disa projekte ne vitin 2007 vetëm sa për të hyrë në treg, por ne tani kemi arritur të eksportojmë mobile prej druri në 25 shtete”, thotë Ibrahimi për albinfo.ch.

Kompania, me dizajne unike

“Tash kemi edhe fabrikën me 15 punëtorë, por ne bashkëpunojmë edhe me 9 fabrika të tjera. Bashkëpunimi me fabrikat e tjera do të thotë se ne jemi pjesë e prodhimit, duke realizuar idenë e dizajnit dhe duke krijuar produktin në atë mënyrë që t`i përshtatet tregut të Singaporit, Dubait ose të SHBA-së.

Në krijimin e dizajneve gjithashtu jemi të veçantë. Për vetëm 3 vjet sa jemi në Panairin e Singaporit, që në vitin e dytë ne kemi fituar çmimin “Bestdesign 2017”, tregon Lirimi, i cili jeton dhe punon në Indonezi më saktë në Ishullin Java, një ishull që, sipas tij, është zemra e vendit me një popullatë prej 265 milionë banorësh.

Largimi nga Maqedonia dhe integrimi i vështirë në Zvicër

Lirimi ka migruar në vitin 1988 në Zvicër, në kohën kur kishte filluar shkatërrimi i Jugosllavisë së atëhershme. Babai i Lirimit, nga i cili ky thotë se ka trashëguar dashurinë për drurin, ka qenë zdrukthëtar.

Ai për 10 vjet ka jetuar në Berlin. Tetovari po ashtu në moshën 16-vjeçare kishte qenë mbase shqiptari i parë që kishte luajtur në ligën e parë të Zvicrës, për ekipin FC Zürich (1993-1996).

“Kam luajtur këtu futboll profesionistësh në ligën e parë për FC Zürich. Karrierën e zhvillova deri diku, por kam pasur pengesa vazhdimisht si shqiptar, gjë që na ka penguar në zhvillimin profesional në Zvicër. Për këtë arsye, në moshën 26-vjeçare kam braktisur karrierën si futbollist profesionist”.

Pos kësaj, ai rrëfen se si kishte depërtuar në ekipin e njohur “Beshiktash” në Turqi 1997, si njëri nga lojtarët e parë të huaj, i katërti me radhë, por që kishte luajtur vetëm 10 ditë në ligën e parë turke. Pas futbollit, Lirimi provoi të punonte edhe në një agjenci udhëtimesh.

Vendimi për investim dhe rruga drejt Indonezisë

Kur Lirimi vendosi të merrte rrugën drejt Indonezisë, nuk është se ka pasur ndonjë kapital të madh me vete, dhe nuk ka pasur as idenë më të vogël të investimit. Por ia arriti që me një kapital të vogël asokohe të krijonte kompaninë, e cila tani ka një emër në gjithë botën.

“Me një mik zviceran atë kohë bashkëpunonim me mobile dhe e nisëm punën duke pasur vetëm 5 mijë franga. Pas një kohe erdha sërish këtu në Zvicër, me synimin për të shitur mobile indoneziane, por jo për të jetuar.

Më pas kam parë se të qëndrosh këtu, në Zvicër, ndërkohë që puna bëhet atje, ishte e pamundur. Kështu që vendosa të rri në Indonezi, dhe me kohë u njoha me partneren time që njëherësh është gruaja ime”, ka thënë Ibrahimi.

Për Lirimin, fillimi, si përshtatja me klimën e kulturën indoneziane etj., ka qenë mjaft i vështirë.

“Njerëzit kur nuk ballafaqohen me një kulturë tjetër, bëjnë një jetë si të huaj, fillimisht distancohen, por njerëzit këtu janë shumë të butë dhe të mirë. Ashtu ishte fillimi dhe secili fillim është i vështirë, edhe prindërit tanë kanë pasur të njëjtat vështirësi adaptimi gjatë integrimit”, ka theksuar Ibrahimi.

Dashuria për drurin

Lirimi është i pasionuar pas drurit. Ai thotë se druri është materiali më i mirë në botë. Druri mund të ketë jetë prej 50, 100 ose 200 vjetësh, bile deri 1000 vjet dhe është madje më i mirë dhe më qëndrueshëm se hekuri.

“Ne e kemi pasur konkurrencë Kinën për të hyrë në treg. Ngase, të hynim në treg me plastikën, aluminin, hekurin dhe çelikun, nuk kemi pasur shanse. Dhe ideja që të përdoret druri në kombinim me elementet tjera na ka ndihmuar që të depërtojmë në treg duke i konkurruar edhe kinezët”, shpjegon Ibrahimi.

Në Indonezi ka 40 mijë lloje të drurëve tropikalë. “EboniMakasar” është druri më i shtrenjtë në botë, por e gjitha varet nga ajo se çfarë standardesh kërkojnë ngase ne jemi specializuar tashmë që të ofrojmë oferta për secilën kërkesë”, ka shtuar Ibrahimi.

“Në Zvicër tashmë kemi të hapur një sallon me produkte të eksklusive Design të drurit kryesisht për tregun më luksoz”, ka theksuar ai duke vlerësuar vendimin e autoriteteve zvicerane që nuk aplikojnë doganë për eksportimin e tyre në Zvicër.

Një karrierë në futbollin profesionist, e ndërprerë herët

“Kam luajtur këtu futboll profesionistësh në ligën e parë për FC Zürich. Karrierën e zhvillova deri diku, por kam pasur pengesa vazhdimisht si shqiptar, gjë që na ka penguar në zhvillimin profesional në Zvicër.

Për këtë arsye, në moshën 26-vjeçare e kam braktisur karrierën si futbollist profesionist”. Pos kësaj, ai rrëfen se si kishte depërtuar në ekipin e njohur “Beshiktash” në Turqi, si njëri nga lojtarët e parë të huaj.

Bashkëpunimi me aktorët e Hollywoodit
Lirimi tregon se kanë punuar edhe me artistë të njohur si George Lukas, regjisorin e “Star Wars”. Ai hapi një objekt (LucasFilm) për të realizuar filma në Azi, më saktësisht në Singapor. Edhe Lirimi ishte i pranishëm në hapjen e këtij objekti, madje kishte qenë i pranishëm edhe kryeministri i Singaporit dhe një ekip i madh filmi nga Hollywood. Ai po ashtu ka punuar edhe me Paul Smith (Moscow). “Në “Cat Walk” ishte tavolina jonë aty”, krenohet Lirimi.

Më poshtë, çmimet e fituara me disa projekte:

*Në Miami “Red Ginger Restaurant” (Best Design Restaurant of the year 2016)

*Në Dubai “Golf Creek Dubai” (Board of Director) 2017

*Në Moskë “354 Ruski Restaurant” në katin e 85-të, restoranti më i lartë në Evropë (Best Design Restaurant 2018)

*Në New York “Design Pier” në galeri, Design i zgjedhur nga e gjithë Azia (2018)

*Në Singapore “Singapore Yacht Show” VIP Lounge dekorator Official (2018).

Loading...