Themelimi i Universitetit të Tetovës dhe sfidat e raportimit!
RETRO 1994 Po udhëtonim me veturën time. Në kthesën e parë të rrugës për në Tetovë, në Sarajin e Shkupit, pamë të vendosur policinë. Në çdo kthesë pamje e njëjtë. Në hyrje të Tetovës shohim veturën e TV Maqedonisë, por dhe vetura të tjera, që lejoheshin të hynin. Ne na ndalin. Policia kërkon të identifikohemi. Na legjitimojnë, lajmërojnë me radiolidhje dikë dhe na dërgojnë në stacion të policisë. Ishin të kota përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi gazetarë. Dikush nga lart kishte urdhëruar të na ndalin. Pas një ore, na thonë:
“Kthehuni nga keni ardhur!”. U kthyem me shumë zhurmë, për t’u ndalur menjëherë në motelin e parë pranë rrugës. Se po talleshim që shpëtuam pa u arrestuar, po se po, por që na vinte inat që na kthyen, asnjëri nuk e pranonte, ndërkohë, kërkonim rrugëdalje se si të futemi, megjithatë, në Tetovë. Kishte propozime të ndryshme nga Ramush Tahiri e Bedri Sadiku, gazetarë të “Rilindjes”, nga Arbër Vllahiu i Radio Suedisë. Kujt t’i lajmërohemi? U pajtuam që ta kontaktojmë ministrin e Punëve të Brendshme, Lubomir Fërçkovski. Ramushi më thotë: “Çohu Dijanë! E luta recepcionistin që të na mundësojë të shërbehemi me telefon”. Pas shumë përpjekjeve, gjeta numrin e ministrit. Telefoni po cingëronte. Lajmërohet, në gjuhën e tij, Jordani, duke u prezantuar si shefi i kabinetit të ministrit! “Urdhëroni!” – thotë. I prezantohem se kush jam. Më tha: “Ju njoh”. E po mirë – i them – nëse më njihni, atëherë më dëgjoni! Unë dhe kolegët e mi sot jemi ndaluar dhe penguar nga policia juaj, që ta kryejmë punën tonë profesionale. Po ju them se për VOA-n ky është një lajm i mjaftueshëm, që një korrespodent i saj, pa asnjë arsye, ndalohet nga policia maqedonase! “Jo, ju lutem! Sigurisht ka ndodhur ndonjë keqkuptim. Menjëherë do të angazhohem personalisht që të shoh se për çka është puna. Ju lutem, ku jeni momentalisht… a mund ta di, që të mbetemi në kontakt?”. I tregova pa hezitim vendin dhe se po presim me çdo kusht të hyjmë në qytet. Kolegët po e përcillnin bisedën time me vëmendje. Ramushi ishte mahnitur me vendosmërinë dhe këmbëngulësinë time. “Bravo Dijana, shkurt e shqip, me shumë dinjitet”. – më tha. Pas pak filluan në motel, ku po qëndronim, të na vëzhgonin me sy tjetër. Tanimë aty erdhën edhe njerëz të sigurimit. Odiseja jonë e pritjes dhe e telefonatave zgjati deri në orën 16, kur na u tha që mund të shkojmë. Ishte vonë, ata na lanë të presim, përderisa të kryheshin ngjarjet e paralajmëruara në Tetovë. U drejtuam në selinë e PPD-së. I telefonova nanës, ia dhashë numrin, ku mund të më kontaktonte Elezi. Elezi u lajmërua menjëherë dhe më pyeti: “Shqype, ç’kemi?”. Ia tregoj shkurt ndodhinë e ditës. ”Auu, bëhu e fortë! Kur mund të bëhesh gati? Raporti sot mund të jetë më i gjatë, rreth 3-4 minuta”. Pak para orës 18 lajmërohuni! Do të jem gati – i them.
Akrepat e orës kishin filluar të ecnin më shpejtë se zakonisht. Kisha këtë përshtypje. Po e shikoja orën secilin çast. Ishte 17 e 25 minuta, e unë ende nuk e dija nga t’ia nisë. Meqë kolegët e mi e kishin luksin e mundësisë që të raportonin më vonë, të gjithë më ndihmuan. Ramushi kishte përvjelë krahët në një makinë shtypi të partisë. Arbëri e Bedriu po merrnin shënime. Abdurahman Haliti, po rrëfente ngjarjet e ditës, kurse unë po shkruaja me laps si pa krye, në stresin më të madh. Shaqir Salihu, redaktori teknik i VOA-s, po lajmërohet:
– A je gati se jemi çu krejt këtu në Washington në këmbë me përgatitje. A do të mundesh me mbërri me raportu? Çdo gjë do të jetë në rregull. Të marrë unë në telefon kur të thuash ti, mos ke gajle.
– I jap paralajmërimin. I them, e bëni ju këtë pjesë gati e unë futem drejtpërdrejt në emision, sepse më duhet edhe pak kohë. – O bukur problem do të jetë, për drejtpërdrejt. – O Shaqë, nuk kemi çare tjetër! Ende nuk e kam përfundu. Edhe 5 minuta më duhen. – Të gjithë më rrinë mbi kokë. Katër faqe tekst, krejt copa-copa, me shigjeta poshtë e lartë, 1.3, 2.4 e duhej të filloja nga faqja e dytë, e cila ishte më së shumti e shkarravitur. – Cingëron telefoni. Fillon sigla e VOA-së. Qetësi absolute. Pas paralajmërimeve të shkurtra njëminutëshe, Ilir Ikonomi, paralajmëron ngjarjen dhe thotë: “Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Tetova kemi korrespondenten tonë”.
Ia filloj:
Dje dhe sot Maqedonia është në një gjendje të jashtëzakonshme, të pashpallur, por të hetuar në çdo hap. Kufijtë e Maqedonisë, sidomos nga Kosova dhe nga Shqipëria, janë të bllokuara dhe nuk u lejohet qytetarëve shqiptarë fare të hyjnë në Maqedoni. Nëpër rrugët e Maqedonisë, vërehen patrulla të shumta policore të armatosura me kallashnikovë. Qyteti i Tetovës sot, nga orët e hershme të mëngjesit, ishte bllokuar nga të gjitha drejtimet. Ishin vënë postblloqet, ku policia legjitimonte dhe kontrollonte detajisht çdo qytetar, si dhe ndalonte të gjitha automjetet. Qytetarëve, që nuk ishin nga Tetova, nuk u lejohej hyrja fare. Policia ndali edhe ekipet e gazetarëve të “Zërit të Amerikës”, të “Radio Suedisë” e të “Rilindjes” dhe u kumtoi se kanë urdhër të prerë që të mos u lejohet hyrja në Tetovë, me gjithë akreditimet dhe dokumentet në rregull, të lëshuara nga Ministria e këtushme e Informatave. Ndërtesa e Kuvendit Komunal në Tetovë, si dhe ndërtesa e Kuvendit Komunal në Gostivar, ishin bllokuar me kordone të forcave të policisë maqedonase, me veshje dhe armatim special, që nuk lejonin hyrjen e askujt në këto ndërtesa, e as të personelit shqiptar, që punonte në to. Sot, në orën 12, para ndërtesës së Kuvendit të Komunës në Tetovë ishin tubuar grupe qytetarësh dhe gazetarësh, të cilët nuk dinin se vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës ishte marrë në agun e kësaj dite në një lokal tjetër, por mendonin se mbledhja solemne do të mbahet në sallën e Kuvendit. Rreth mesditës, para ndërtesës kishin ardhur Arbër Xhaferi, kryetar i PPD-së dhe deputet, si dhe Nevzat Halili, kryetar i Partisë për Unitetin Popullor. Ky i fundit kishte mbajtur një fjalim të shkurtër para qytetarëve të tubuar. Pas një kohe qytetarët ishin shpërndarë e, pak më vonë, edhe kordonet e milicisë ishin larguar nga ndërtesa, duke lënë disa patrulla dhe automjete policore. Merret vesh se policia maqedonase mbrëmë dhe sot ka bërë bastisje të shumta nëpër shtëpitë e shqiptarëve në Tetovë, duke kërkuar materialet e Universitetit, mësimdhënësit dhe anëtarët e Këshillit, si dhe mysafirët, që ishin ftuar në mbledhjen solemne. Policia maqedonase ka burgosur dr. Murtezan Ismailin dhe pesë intelektualë të tjerë. Po kërkohet dr. Fadil Sulejmani. Merret vesh se policia ia mori kasetat e incizuara televizionit privat “ARTI” të Tetovës gjatë mbledhjes së nënshkrimeve të dokumentit për themelimin e Universitetit. Akti i themelimit të Universitetit me gëzim të madh u prit në mbarë popullatën shqiptare. Përgëzimet pandërprerë po arrijnë në selinë e PPD-së. Për urime vazhdimisht po vijnë grupe qytetarësh nga të gjitha anët. Të gjitha radiot dhe televizionet private, në programet e veta gjatë tërë ditës, po sjellin urimet e subjekteve, asociacioneve, institucioneve, familjeve dhe individëve, përmes të cilave, Universitetit i dëshirohet punë të mbarë.
Sot, në Maqedoni, janë për vizitë Dejvid Oven dhe Torvald Stoltenberg, bashkëkryetar të Konferencës së Gjenevës për ish-Jugosllavinë. Zyrtarisht, për vizitën e tyre të befasishme, nuk jepen shpjegime, por merret vesh se vizita drejtpërdrejt është e lidhur me brengosjen e komunitetit ndërkombëtar për ashpërsimin e situatës në Maqedoni dhe për mundësinë e shpërthimit të konflikteve ndëretnike, që ndërlidhet me situatën e krijuar rreth themelimit të Universitetit në gjuhën shqipe në Tetovë. Të përkujtojmë, se misioni i KSBE- së në Maqedoni, shprehu brengosje për situatën e krijuar dhe kërkoi nga të dy palët që me dialog të zgjidhin kontestin, për të cilën gjë ofroi ndërmjetësim.
Nga Tetova për Zërin e Amerikës Dijana Toska.
U dëgjuan zëra. Njëri më thoshte bravo, e tjetri, e ke kall krejt. Ramushi më thotë “mirë u ba, kryesorja shkoi në eter”. Cingëron telefoni. Më thonë, nana të kërkon. “Qysh do të kthehesh? Jemi ba shumë merak”, më thotë ajo. Sa e mbylla, cingëron sërish. Në telefon Elezi. Më thotë: Shqype, ishte kryevepër, pak i gjatë e na krijoi telashe, por mirë u bë. Ke kujdes, të lutem, dhe përcille me vëmendje situatën se si do të zhvillohet më tej. Presim një raport të ri për mëngjes. Ok, i them. Merre këtë numër, Elez dhe menjëherë kontaktoje Fadil Sulejmanin. Askush nuk e di ku është në këtë moment. Ma paska dërguar numrin nëpërmjet një njeriu të tij të besueshëm.
Shkeputur nga Libri/Maqedonia ne Gazetarine Time