Parlamenti i Turqisë dënon sulmin terrorist në xhamitë në Zelandën e Re

Shpërndaje

Pesë partitë më të mëdha në Parlamentin e Turqisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët me të cilën dënojnë sulmin terrorist në dy xhamitë në Zelandën e Re, ku mbetën të vrarë të paktën 49 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sulmi vdekjeprurës është “rezultat i racizmit i bazuar në gjuhën e urrejtjes me islamofobi dhe ksenofobi”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga zëvendëskryetarët e grupeve parlamentare të partive politike.

Bota perëndimore duhet “të shmang nxitjen e aksioneve me tendencë islamofobike”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

“Qeveritë dhe mediet perëndimore duhet përzemërsisht dhe kategorikisht të largohen nga retorika e cila provokon emocione dhe aksione islamofobike”, paralajmërohet në deklaratë.

Deklarata u lëshua nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Popullore Demokratike (HDP), Partia Lëvizje Nacionaliste (MHP), si dhe IYI Parti (Partia e Mirë).

Sot, persona të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve gjatë kohës së faljes së namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch në Zelandën e Re, ndërsa njëri nga sulmuesit incidentin e transmetoi në rrjetet sociale.

Katër të dyshuar, duke përfshirë edhe një grua, janë ndaluar nga autoritetet e Zelandës së Re.

Loading...