Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore janë mundësi për reflektim

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet e radhës për kryetar shteti në Maqedoninë Veriore, më tepër do të jenë një mundësi për reflektim dhe nxjerrjen në pah të sëmundjeve kronike nga të cilat vuan shoqëria dhe politika e këtij shteti, së paku nga viti 1991 e deri më sot.
Me këtë rast, do të dalin në sipërfaqe së paku tri probleme me të cilat ndeshet ky shtet dhe qytetarët e tij, edhe atë:

1. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Bullgarisë (2017) dhe të Marrëveshjes së Prespës, mes Maqedonisë dhe Greqisë, është shuar përgjithmonë kauza e rrejshme kombëtare maqedonase, si frymë dhe pretendim ekspansionist sllav, serb dhe rus mbi Maqedoninë.

2. Dy blloqet më të mëdha politike, me koncepte të ndryshme për çështjet etnike, ideologjike dhe shtetërore, të udhëhequra nga dy partitë më të mëdha politike, LSDM dhe OBRM, në koalicione të përbëra deri më sot me së paku 1/3 e tyre nga partitë politike të bashkësive të tjera etnike, do të fillojnë të zbehen, tkurren e zvogëlohen në përmasa reale, përballë zgjimit të vetëdijesimit të këtyre bashkësive etnike që të mos u shërbejnë edhe më tej interesave kombëtare të këtyre partive politike, por interesave të qytetarëve të bashkësive etnike që i përfaqësojnë ato, të turqve, romëve, vllehëve, boshnjakëve, bullgarëve, serbëve etj., si dhe interesave të shtetit.

3. Do të shtrohet nevoja për qartësimin dh definimin e saktë të konceptit të shtetit, mes përpjekjeve të dështuara të derisotme për ruajtjen e konceptit etnik të shtetit, përballë konceptit të shtetit qytetar, i cili duhet ta reflektojë përbërjen shumetnike, realitetin historik dhe aktual të këtij shteti.

4. Do të shtrohet nevoja e domosdoshme për ndryshime rrënjësore të kodit zgjedhor, të ligjeve me të cilat rregullohet çështja e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të tjera, listat e zgjedhësve, procedurat zgjedhore, kontrollimi dhe organizimi i zgjedhjeve, pa ndikimin e shërbimeve sekrete të shtetit, me këtë edhe rikthimin e mundësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, të pamanipuluara dhe falsifikuara, në interes të demokracisë, të shtetit dhe të qytetarëve të tij.

5. Sidomos, do të shtrohet nevoja e riorganizimit të lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni, dhe me këtë qytetarët shqiptarë të heqin dorë nga grupet joformale poltike dhe të interesit, me synime vetëm për pushtet dhe realizimin e interesave individuale dhe grupore, ndërkohë që rrethanat e reja imponojnë qasje të re ndaj problemeve të qytetarëve në këtë vend, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet dhe më gjerë.

6. Këto zgjedhje do të dëshmojnë se sa të ngutshme dhe të domosdoshme janë masat që duhet t’i ndërmerr ky shtet, dhe jo vetëm, për parandalimin e shpërnguljes në masë të qytetarëve, sidomos të rinisë, në botën e jashtme. Por, kjo do të kuptohet pas zgjedhjeve, nga numri i vogël i votuesve që do të dalin në këto zgjedhje, jo pse nuk duan votuesit, por pse nuk janë këtu, kryesisht për shkak të politikave të gabueshme të pushteteve të derisotme!

Loading...