Për gjendjen e sotme të shqiptarëve në Maqedoni

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Si mund të përparojnë shqiptarët në këtë shtet, kur shumica e politikanëve dhe pushtetarëve e ndjejnë veten si Skënderbeu, ndërsa punët dhe veprimet e tyre i bëjnë më zi se Moisi Golemi dhe renegatë të tjerë?!

Si mund të përparojnë shqiptarët në këtë shtet, kur shumica e partive politike dhe drejtuesve të tyre e luftojnë njëri-tjetrin dhe nuk bashkohen për ta luftuar të keqen e përbashkët (sundimin dhe shfrytëzimin nga të huajt), që e rëndojnë mbi një shekull popullin shqiptar në Maqedoni?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur politikanët e tyre me çdo kusht mundohen t’i imponojnë vetëm idetë e veta dhe interesat e partive të tyre, mbi interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe mbi interesat kombëtare?

Si mund të përparojnë shqiptarët në këtë shtet, ku maqedonasit janë të organizuar në mbi 29 parti politike, madje edhe romët kanë 7 parti politike të tyre, por veprojnë të bashkuara në skenën politike në dy blloqe të mëdha, dy koalicione partiake të udhëhequra nga partitë më të mëdha, ndërsa secilit lider shqiptar të ngritur në skenën politike të këtij vendi i ka penguar dhe i pengon çdo ide ndryshe, veprim dhe organizim tjetër, duke e luftuar sistemin shumëpartiak, pluralizmin, në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet, duke i afirmuar vetëm partitë që ata drejtojnë si të vjetëmjaftueshme, edhe kur ato kanë dështuar totalisht në skenën politike?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur secili politikan dhe intelektual mundohet të bëhet pjesë e pushtetit, e institucioneve shtetërore, edhe të kulturës, arsimit, shkencës, mediave, jo për të imponuar, krijuar e promovuar vlera të reja, demokratike, kombëtare dhe qytetëruese, por vetëm për realizimin e interesave personale, apo grupore e partiake?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur afër tri dekada me radhë, në përjashtim të dy viteve të para të pluralizmit, 1990-1992, kur të gjitha partitë politike i kanë kordinuar aktivitetet e tyre përmes Këshillit kordinues të partive politike në të gjithë hapësirën shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, ndësa gjatë gjithë periudhës së mëvonshme, edhe përkundër përpjekjeve në vitin 2001 dhe 2017 (me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët dhe zotimit për kordinimin e tyre përmes një Tryeze të përbashkët), në vend që t’i harmonizojnë qëndrimet dhe ndërmarrin aktivitete të përbashkëta për tejkalimin e krizës dhe përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni dhe gjendjes së tyre, përkundrazi, ndasitë, divergjencat dhe përçarjet mbi baza partiake dhe baza të tjera të interesave personale e grupore mes tyre vazhdojnë të thellohen edhe më tej?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur asnjë forum apo organ kombëtar nuk kanë krijuar për realizimin e interesave të përbashkëta, jashtë ndikimit të partive politike, as edhe në sektorin joqeveritar, mes shoqatave dhe asociacioneve jopolitike (shoqatës së shkrimtarëve, shoqatës së arsimtarëve, shoqatës së historianëve, forumeve për liritë dhe të drejtat e njeriut, shoqatave kulturore dhe profesionale etj.)?

Si mund të përparojnë shqiptarët, pa program dhe strategji kombëtare, pa programe zhvillimi, pa vizion të qartë për të ardhmen, të përçarë, me teke dhe ambicie individuale për pushtet, për famë dhe pasuri personale, kur secili e ndjen veten një Skënderbe modern, ndërsa me veprimet e tyre (me dashje e pa dashje) i dëmtojnë gjithnjë e më shumë interesat e përgjithshme të popullit dhe të qytetarëve që i përfaqësojnë, siç nuk do të arrinte asnjë armik i huaj ta bënte më keq, siç nuk i kanë dëmtuar shqiptarët as renegatët më të ligë që ka pjellë raca shqiptare gjatë historisë?

Nuk zhvillohet e përparohet asnjë popull duke bërtitur ditenatë kundër padrejtësive historike, kundër armiqve të ,,jashtëm” e të “brendshëm”, kundër popujve të tjerë fqinjë, se ata janë fajtorë për gjendjen tonë, ndërsa ditenatë punojmë për interesa personale edhe me armiqtë e hapur dhe të përbetuar, duke i përçarë, demoralizuar, dobësuar dhe katandisur shqiptarët, vetëm për interesa të veta, karierë dhe famë personale, pa ndërmarrë asnjë veprim konkret në interes të popullit shqiptar, fatin e të cilit e „vajtojnë” ditenatë (përveç disa ndryshimeve formale, kozmetike, sa për sy e faqe)!

Asnjë popull i qytetëruar i botës nuk lejon që interesat personale të individëve të caktuar (qofshin ata edhe heronj), të partive politike apo grupeve të interesit, të vihen mbi interesat e përgjithshme të tij. Pse atëherë këtë duhet ta lejojmë ne shqiptarët?!

Loading...