Qytetarëve sot u është lënduar egoja

Shpërndaje

Duartrokitjet, ovacionet, premtimet, kritikat që po i përcjellim gjatë kampanjës parazgjedhore për njëri tjetrin sot para syve të një qytetari të shkretë nuk kanë asnjë efekt pozitiv për ta bindur ate që me datën 21 prill te ndaj mendjen se cilin kandidat ta votojë. Nuk mund të quhet kandidat konsensual ai (ajo) nëse nuk ka pëlqimin e të gjitha partive politike pozitë dhe opozitë dhe pa qenë i pastër në biografinë e tij. Veç këtyre, populli nuk ka më atë besimin që kishte para dhe pas 2001-shit, kjo si rezultat i shumë ndodhive dhe mashtrimeve që populli nuk mund t’i gëlltis më. Ajo që brengos masën tani për tani, por jo edhe partitë politike, është ajo se si të ndalohet ky ekzod i madh i njerëzve që për shkak të politikës apatike, skamjes dhe pritjes pafund, po merr një kahje të shfrenuar dhe brengosëse. Të rinjëve që po largohen çdo ditë e më shumë po iu prehen ëndërrat, po iu humbin shpresat, po iu lëndohet egoja, dhe thirrja e tyre për të mbetur në këtë vend nuk ka më asnjë kuptim dhe ndikim sepse nuk shohin të ndodh as edhe përmirësimi më të vogël. Nuk u intereson më qytetatëve se çfarë emri ka vendi apo kush do të udhëheq me të; atyre u intereson të kenë mirëqenie materiale dhe rehati shpirtërore. Andaj, le të fitoj garën presidenciale kandidati më i mirë dhe jo ndonjë kandidat mediokër siç kishin udhëhequr me popullin deri më tani, pasi që vendi ynë ka nevojë për një president i cili do t’i kishte përkrahur reformat rrënjësore në gjyqësi, ekonomi, mjedis; si dhe ta ndihmojë vendin drejtë anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropjan.

Shkruan: Arburim Iseni – Profesor Universitar

Loading...