Reka në tubim qendror në Tetovë, Siljanovska në Kriva Pallankë, Pendarovski në Gjevgjeli

Shpërndaje

Kandidati për president Blerim Reka, i cili e ka mbështetjen e Besës dhe Aleancës për Shqiptarët, sot do të mbajë tubim qendror, ndërsa si qytet në të cilin do të mbahet ngjarja kryesore në fushatën e tij para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale është zgjedhur Tetova.

Dy kandidatët e tjerë të këtyre zgjedhjeve të gjashta presidenciale vazhdojnë me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore. Kandidatja e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova do ta promovojë kandidaturën e saj presidenciale në Kratovë dhe Kriva Pallankë, ndërsa Stevo Pendarovski i cili mbështetet nga LSDM dhe koalicioni do t’i vizitojë qytetarët në Valandovë, Dojran, Bogdanc ndërsa në Gjevgjeli do të mbahet tribunë e hapur qytetare.

Fushata për raundin e parë të zgjedhjeve është nga fundi, zyrtarisht filloi më 1 prill do të zgjasë deri më datën 19 në mesnatë, me ç’rast pason heshtje zgjedhore prej 24 orëve. Të dielën më 21 prill votuesit do të dalin në vendvotime dhe do të votojnë në raundin e parë të garës presidenciale.

Ndryshe, në zgjedhjet presidenciale të së dielës, 21 prill 2019 në Maqedoninë e Veriut, në rrethin e parë të drejtë vote kanë 1.808.131 persona , njofton Portalb.mk. Sipas nenit 81 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, që të kemi fitore që në rrethin e parë për ndonjërin nga kandidatët: Blerim Reka, Gordana Siljanovska – Davkova ose Stevo Pendarovski, për të do të duhet të votojnë së paku 904.066 persona, apo shumica.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr së paku 904.066 persona në rrethin e parë, që me gjasë do të ndodhë në bazë të anketave, atëherë në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale i planifikuar më 05.05.19.
Në të do të ballafaqohen dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë.

Loading...