Realiteti i krijuar me dekada në një shtet nuk ndryshohet vetëm nga një palë zgjedhje!!

Shpërndaje

Nga Abdulla Mehmeti

Shumë lexues mund të mos pajtohen që në kohën e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë Veriore, i aktualizojmë, ripërsëritim shkeljet dhe mohimin e të drejtave të shqiptarëve nga pushteti, si kufizimet për përdorimin e flamurit shqiptar, të gjuhës shqipe dhe çështje të tjera.

Përderisa shumica e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet janë deklaruar hapur dhe përherë në lidhje me procesin e integrimeve euroatlantike, anëtarësimin e shtetit në NATO dhe BE, për orientimin evropian të këtij shteti të përbashkët, pse duhet të ripërsëriten këto çështje nga shqiptarët dhe partitë e tyre politike më tepër se sa çështjet e brendshme, të cilat këtë shtet e bëjnë të brishtë, të ngarkuar me probleme të pazgjidhura nga e kaluara, në lidhje me të cilat as pushteti aktual nuk reflekton siç duhet dhe sa duhet.

Prej nga buron e drejta e jonë, sidomos e udhëheqësve të partive politike dhe subjekteve të tjera, e medieve, analistëve dhe të tjerëve, që t’u shesin mjegull qytetarëve shqiptarë se cili duhet të jetë vendimi i tyre më i drejtë në lidhje me zgjedhjen e njërit nga kandidatët për kryetar shteti, kur këta kandidatë në periudha të ndryshme kanë ushtruar funksione dhe e kanë mbajtur anën e partive nga tabori i kundërt me këtë ku janë rreshtuar në këto zgjedhje.

Qytetarët shqiptarë, nëse do të votojnë në rrethin e dytë, këtë nuk do ta bëjnë as për Stevon apo Gordanën, as për LSDM-në apo VMRO-në, as për BDI-në apo ndonjë parti tjetër politike, siç kanë vepruar në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve, por për të mirën e vetvetes, me shpresë për orientimin evropian të shtetit, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre qytetare të votës, për aq sa ua lejojnë këtë ligjet aktuale, sepse një numri të madh të tyre edhe kjo e drejtë u mohohet.

Por, me këtë rast, secili qytetar shqiptar është i vetëdijshëm për krimet e OBRM-PDUKM ndaj shqiptarëve, për qasjen raciste dhe shoviniste të drejtuesve të kësaj partie ndaj shqiptarëve, sidomos gjatë qeverisjes së mëparshme, por edhe për nevojën që edhe pushteti aktual dhe LSDM-ja duhet të kritikohen dhe korrigjohen, ta ndryshojnë qasjen ndaj shqiptarëve.

Këto zgjedhje do të kalojnë dhe problemet e pazgjidhura në këtë shtet, sidomos qasja restriktive e pushtetit ndaj të drejtave të ligjshme të shqiptarëve do të mbetet e njëjta. Kjo na obligon ne të gjithëve, sidomos partitë politike, të ndërmarrim hapa dhe veprime konkrete në të ardhmen, për ndryshimin e gjendjes së rëndë të popullit shqiptar në këtë shtet. Këto zgjedhje do të përfundojnë, sigurisht me fitore të pushtetit, por realiteti i krijuar për dekada me radhë nuk ndryshohet vetëm me një palë zgjedhje.

Zgjedhjet parlamentare të radhës janë në prag, ndërsa ne shqiptarët vazhdojmë me gjumin në krahun tjetër, deri sa të ngrihet një uragan këndellje e zgjimi i gjeneratës së re.

Të shpresojmë dhe punojmë për ardhjen e kësaj dite të re, sa më parë!

Loading...