Kur politika e mbush paketën e masht.rimeve nga e zbrazëta në boshe

Shpërndaje

Me një shkurre nuk mbulohet mali i padrejtësive ndaj shqiptarëve, falsifikimi i numrit të votuesve dhe i zgjedhjeve në Maqedoninë Veriore

Shkruan: Abdulla Mehmeti

KUR POLITIKA E MBUSH PAKETËN E MASHTRIMEVE NGA E ZBRAZËTA NË BOSHE

“Në shtet janë dhënë diçka më tepër se 2 milionë e 400 mijë shtetësi dhe kjo është lista e votuesve, domethënë numri prej 1 milion e 800 mijë votuesve është numër real në Listën e përgjithshme zgjedhore.”

– Oliver Derkoski, drejtor aktual i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoninë Veriore, (AIM)

Maqedonia Veriore, me mbi 2 460 000 shtetas të pajisur me dokumente personale, me 2 022 547 banorë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, me Listë të përgjithshme me mbi 1 800 000 votuesve, me qindra mijëra banorë të larguar në botën e jashtme (sipas Bankës Botërore: mbi 630 mijë banorë të larguar deri në fund të vitit 2018), pretendon të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike! Ky është absurd, madje një tragjikomedi ndaj qytetarëve që ua organizon pushteti dhe partitë politike.

Bartja e votuesve të Komunës së Dibrës dhe të Komunës së Mavrovë-Rostushës nga Njësia zgjedhore nr. 6, në Njësinë zgjedhore nr. 5 është vetëm një ndryshim kozmetik, formal, i parëndësishëm dhe i padobishëm për interesin e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, meqë me asgjë nuk e ndryshon gjendjen faktike të votuesve shqiptarë, me këtë nuk do ta ndryshojë edhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme që pritet të mbahen më 12 prill të këtij viti, as për nga numri i deputetëve që mund të fitojnë partitë e shqiptarëve dhe as për nga sigurimi i procesit të rregullt zgjedhor.

Realisht, zgjedhjet në këtë shtet vazhdojnë të mbahen në mënyrë të parregullt, të paligjshme, jo kushtetuese dhe shumë larg standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

Në Republikën e Maqedonisë nuk paraqet problem vetëm ndryshimi i numrit të votuesve nëpër njësitë zgjedhore, por numri i madh i votuesve fiktivë në të gjitha njësitë, në mbështetje të ligjeve diskriminuese dhe vendimeve jo kushtetuese të organeve të pushtetit me dhënien e shtetësisë të mbi 400 mijë qytetarëve “votuesve të panjohur”, sipas të dhënave nga regjistrimi i banorëve të këtij shteti deri më sot.

Me vetë faktin se në këtë shtet janë të përfshirë si votues të gjithë personat të cilët më herët pushteti i ka pajisur me shtetësi dhe dokumente personale, pa mbajtur llogari se kush janë këta qytetarë që është dhënë shtetësia, me këtë dhe e drejta e votës, që janë të përfshirë në Listën e përgjithshme të votuesve dhe përbëjnë mbi 400 mijë qytetarë (votues), të cilët e përbëjnë dallimin e madh mes banorëve të regjistruar të këtij shteti (2002) dhe personave të cilët janë pajisur me shtetësi dhe me dokumente personale, me këtë duke ua garantuar edhe të drejtën e votës, për të cilët dyshohet se nuk kanë qenë asnjëherë dhe nuk janë banorë të këtij shteti.

Ky falsifikim duhet të zbardhet dhe kjo gjendje duhet të ndryshohet në Maqedoninë Veriore, jo të bëhen ndryshime kozmetike dhe të parëndësishme me bartjen e votuesve nga një njësi zgjedhore në tjetrën, apo çfarëdo ndryshimi tjetër formal që nuk është në pajtim me sigurimin e barazisë kushtetuese të qytetarëve në këtë shtet.

Edhe kështu, asnjëra nga 6 njësitë zgjedhore ekzistuese, edhe pas ndryshimeve të fundit formale nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike në Maqedoninë Veriore, meqë secila prej tyre ka më tepër ose më pak votues se sa është e përcaktuar me ligj.

Mash*trimi i qytetarëve dhe falsifikimi i zgjedhjeve në këtë shtet vazhdon edhe më tej, pavarësisht nga propaganda që zhvillojnë pushteti dhe partitë politike.

Loading...