Mustafa-Kurtit: Anulo vendimin për ministrin e Brendshëm dhe kërkoji falje LDK-së

Shpërndaje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në rrjetet sociale i kërkon Albin Kurtit që të heqë tarifën ndaj Serbisë dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Mustafa bëri publike edhe mënyrën si i është drejtuar kryeministrit të Kosovës gjatë një takimi që ka pasur me të më 18 Mars, ku pjesë ishin edhe kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe zv/kryeministri Avdullah Hoti.

Në këtë mbledhje, Mustafa i ka bërë me dije kreut të LVV se mosheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-të vë në pikëpyetje koalicionin qeveritar.

“Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarifën dhe qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm. Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës. Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë. Kemi probleme të mëdha me virusin COVID-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht. Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime. Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët. Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor. Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell”, mësohet të jetë shprehur Mustafa.

Por kreu i LDK-së thotë se si përgjigje mori shkarkimin në kundërshtim në marrëveshjen për koalicion të nënkryetarit të LDK-së Agim Veliu.

Mustafa thotë se nuk është i ri që të ndikohet nga të tjerët. Ai shprehet se përveç heqjes së tarifës ndaj Serbisë dhe anulimit të vendimit për shkarkimin e Veliut, Kurti duhet t’i kërkojë falje LDK-së për veprimet e tij.

“Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as aventurier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre. Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifë, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, shkruan Mustafa./tvklan.al

Loading...