Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e dy personave nga Covid19: Jemi në mes të betejës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e dy personave nga coronavirusi.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka mbaruar asgjë dhe se jeni në mes të betejës.

“Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Në ora 3:00, virusi Corona i shkaktoi vdekjen S.N., burrë, nga Prishtina, kurse, në ora 7:10, N.R., grua, nga Prizreni, gjithashtu, ndërroi jetë.

Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar.

Prandaj:
Qëndroni të pastër.
Qëndroni në distancë.
Qëndroni në shtëpi.

Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19.

Prandaj, sërish:
Qëndroni të pastër.
Qëndroni në distancë.
Qëndroni në shtëpi.

Loading...