“Potpuri” zëvendësministrash në Ministrinë e Vlora Dumoshit

Shpërndaje

Qeverinë që i printe Ramush Haradinaj e kishin kritikuar shpesh për numër të madh të zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave. Por, tani që LDK udhëheq me ekzekutivin kosovar ka nisur që nëpër dikastere të emërohen deri në pesë zëvendësministra.Kështu, kjo parti nuk e mbajti premtimin të cilin e dha në zgjedhjet e fundit nacionale që u mbajën më 6 tetor të vitit 2019.Në programin qeverisës, LDK parashihte jo më shumë se dy zëvendësministra në një dikaster e jo më shumë se 12 ministri në total. Por, tani që Avdullah Hoti prin qeverisë, ky premtim nuk po mbahet. Në fakt, Hoti ka emëruar katër zëvendëskryeministra, 16 ministra dhe mbi 40 zv/ministra deri më tani, pa u bërë ende një muaj që është instaluar në krye të qeverisë.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të cilën e drejton bashkëpatiakija e Hotit, Vlora Dumoshi, janë emëruar pesë zëvendësministra.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dy zv.ministra, Arbër Grabovcin dhe Halil Matoshin. Valdete Bajrami nga Nisma Socialdemokrate po ashtu do të jetë zëvendësministre. Ndërsa, LDK përveç që drejton dikasterin ka edhe një zv/ministër, Engelbert Zefaj. Nga PAI, zv/ministër do të jetë Qazim Rrahmani.

Emërimin e zëvendësministrave e ka konfirmuar vetë ministrja Dumoshi në një bisedë për KALLXO.com.KALLXO.com ka dërguar që disa ditë pyetje në zyrën e kryeministrit, Avdullah Hoti, për të kërkuar numrin e përgjithshëm të zëvendësministrave, por ende nuk kanë kthyer përgjigje nga zyra për medie. Sikur në MKRS, pesë zëvendësministra janë emëruar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambinetit. Ky dikaster, që udhëhiqet nga Blerim Kuçi i AAK-së ka edhe tre zv/ministra të tjerë nga partia e Ramush Haradinajt.

Loading...