Albin Kurti: “Tash është KOHA”, votoni Ziadin Selën

Shpërndaje

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë thirrje publike që të votohet koalicioni ASH-AAA. Në tubimin përmbyllës në Shkup për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin, Kurti iu është drejtuar të pranishmive përmes një video xhirimi ku ka bërë thirrje të mbështetet koalicioni që udhëhiqet nga Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.

“Ne jemi popull paqësor. Por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë, pa drejtësi e nën korrupsion, pa arsim e në injorancë, pa shëndetësi e në ligështi, pa punë e në skamje. Pabarazia duhet luftuar në të gjitha format e saj, tërë kohën, nga të gjithë ne, kudo që jemi e që bëhemi. Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë. Ju uroj suksese në zgjedhjet e 15 korrikut. Le t´i lëmë pas të vjetrat, le të kthehemi kah e reja, se na duhen ndryshime, zhvillim e demokraci. Mbështeteni ndryshimin, dhe më lini t´ua kujtoj edhe një herë, si Albin e si Vetëvendosje: nuk jeni vetëm; jemi bashkë; kurrë nuk do të jeni vetëm”, ka thënë mes tjerash përmes një video lidhje në tubim kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Loading...