Interesat e përkohshme partiake dhe interesi kombëtar i përhershëm

Shpërndaje

Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

INTERESAT PARTIAKE TË PËRKOHSHME DHE INTERESI KOMBËTAR I PËRHERSHËM

Shlruan: Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut duhet të shërbejnë për ta bërë dallimin mes interesave partiake, pazareve politike ditore dhe interesave strategjike të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore.

Fushata e partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore e zgjedhjeve të 15 korrikut, nëse nuk do të ishte vazhdimësi e mashtrimit politik të shqiptarëve për tri dekada me radhë, do të ishte tragjikomedi e vërtetë e ditëve tona. Beteja politike në këtë shtet nuk zhvillohet për rroga më të larta, për mungesën e kanalizimeve dhe ujit për pije të banorëve në vendbanime shqiptare, që janë obligime të pushtetit vendor, të cilin e kanë në duar po këto parti politike që i përdorin për marketing në zgjedhjet parlamentare. Në këtë fushatë partitë politike duhet të fokusohen në ndryshimin e konceptit të shtetit të uzurpuar, sidomos për të drejtat e munguara të popullit shqiptar sipas kushtetutës dhe ligjeve.

Mjaft më me ide bajate, si për modele të ballafaqove për nuset e huaja! Programet e orientimit strategjik dhe zhvillimit të shtetit i harton qeveria, në përputhje me programin e partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve, ku ju do të jeni vagoni i fundit, sepse nuk dini dhe nuk doni të jeni të parët, apo ndër të parët, kështu me parti e klane të ndarë e përçarë, duke e masakruar votën shqiptare dhe vullnetin politik të shqiptarëve për barazi të plotë në këtë shtet.

Rekomandimi për ruajtjen e distancës sociale në gjendje pandemie nuk nënkupton rritje të distancës me votuesit shqiptarë, me kërkesat reale dhe të drejtat e tyre të ligjshme; as mbajtja e maskave kundër infektimit nuk nënkupton mbajtjen e mëtejshme të maskave politike në fytyrat e përçudnuara të një grushti politikanësh të korruptuar dhe dështuar në politikëbërjen e derisotme të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Është koha të zbresin përtokë drejtuesit e lëvizjes politike aktuale të shqiptarëve, që t’i shohin nga afër shkaqet e problemeve të qytetarëve dhe votuesve që i përfaqësojnë, e që lidhen kryesisht me mungesën e përfaqësimit adekuat të tyre, me papërgjegjësinë e politikanëve dhe pushtetarëve të derisotëm, mos dhënien e llogari për devijimet dhe dështimet, duke i shkëmbyer të drejtat e qytetarëve që i përfaqësojnë dhe të votuesve të tyre me interesa personale e grupore, me synim të vetëm “strategjik” e “kombëtar” sa për të qenë pjesë e pushtetit, pavarësisht nga orientimi i tij, edhe kur është kryekëput në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Përfundimisht, drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, nëse programet e tyre politike dhe kërkesat i mbështetin edhe më tej në kushtetutën aktuale të shtetit, në ligjet aktuale diskriminuese dhe në Marrëveshjen kornizë të Ohrit, që shqiptarët i kanë shndërruar në pakicë kombëtare, në qytetarë prej 20%, me asgjë nuk i përfaqësojnë interesat e sotme të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore dhe synimet historike për liri dhe të drejta kombëtare në trojet e veta etnike, për respektimin e të drejtës për vetëvendosje, për jetë të denjë në paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me popuj të tjerë, me të cilët rrethanat historike i kanë detyruar të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo për t’u shërbyer të tjerëve si shërbëtorë e vasalë, robër modernë të pushteteve jodemokratike dhe vegla qorre të klaneve politike, të cilat nuk dihet nga vijnë dhe interesave të kujt u shërbejnë.

(30.VI.2020)

Loading...