Kushtetuta e analfabetëve dhe heronjtë e rrejshëm të politikës

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Drejtuesit e disa partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, që nga viti 1990 e deri më sot, e kanë çjerrë fytin me vite të tëra kinse janë angazhuar për arsimimin universitar të shqiptarëve në gjuhën amtare, se në programet e tyre kinse paskan pasur angazhimin e tyre për arsimimin e shqiptarëve, ndërkohë, me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, të vitit 1991, si edhe me ndryshimet kushtetuese në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në vitin 2001 dhe me ndryshimet e fundit sipas Marrëveshjes së Prespës, në janar të vitit 2019, partitë politike të shqiptarëve nuk arritën as ta ndryshojnë nenin e kësaj Kushtetute, tejet diskriminues për shqiptarët, me të cilin e drejta për arsimim e shqiptarëve në gjuhën amtare kufizohet në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm! Çfarë domethënë kjo? Pakujdesi, padituri, amatorizëm politik, apo diçka tjetër?!

Kushtetuta e Maqedonisë Veriore,

Neni 48, paragrafi 4:

“Pjesëtarët e bashkësive etnike kanë të drejtë për arsimim në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhën e bashkësisë, mësohet edhe gjuha maqedonase.”

Cila parti politike e shqiptarëve në Maqedoni, cili lider apo deputet nuk e ka miratuar dhe nënshkruar këtë diskriminim kushtetues dhe turp mbi popullin shqiptar, më 1990, 2001 dhe 2019?

Përgjigjja e politikës mund të jetë se, kjo çështje është rregulluar me ligje dhe gjendja reale është krejt ndryshe, se shqiptarët tanimë kanë tre universitete etj, etj. Ua përkujtojmë se Ligji për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar në Maqedoni ka qenë në fuqi që nga viti 1973, para ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, por Gostivari, shqiptarët dhe flamuri shqiptar u përgjakën në vitin 1997, 24 vjet më vonë, jo pse kjo çështje nuk ishte rregulluar më parë me ligj, por pse ligji u ndryshua me vendim të shpejtë politik (brenda natës), meqë nuk paska qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën e vitit 1991!

(21.VII.2020)

Loading...