Ademi thotë: Qoftë edhe një person i vetëm pa shtetësi, që i plotëson kushtet, do ta zgjidhim!

Shpërndaje

Edhe këtë çështje, qoftë edhe një person i vetëm pa shtetësi, që i plotëson kushtet, do ta zgjidhim!

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Më lejoni që sot para juve të prezantoj statistikat e viteve të fundit në lidhje me kërkesat e dorëzuara për marrje të shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ata të cilët kanë përfituar por edhe ata të cilat janë refuzuar, përfshirë këtu edhe një pjesë e cila është në procedurë e sipër e që pritet që së shpejti të pajisen me shtetësi, por dhe njëkohësisht të demantoj e të hedh poshtë spekulimet e shumta me numrat që po manipulohen pikërisht nga opozita.

E vërteta rreth çështjes së shtetësive që nga viti 1991 e deri më vitin 2021 është kjo:

Nga viti 1991 e deri në vitin 2021 me dokumentin e shtetësisë, rrjedhimisht që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në 30 vitet e fundit, gjithsej 43.321 shqiptarë kanë marrë dokumentin e shtetësisë dhe vetëm 3.374 janë refuzuar.

Ndërkohë ju informoj se në proces e sipër për tu pajisur me dokumentin e shtetësisë janë diku mbi 2.674 kërkesa, nga të cilët më pak se gjysma janë shqiptar, pra më pak se 1.300 qytetarë.
Edhe këtë çështje, qoftë edhe një person i vetëm pa nënshtetësi që i plotëson kushtet, do ta zgjidhim sepse ka qenë një ndër pikat e para të marrëveshjes sonë dhe kemi përvojë të mirë nga e kaluara.

Qytetarëve ju kujtohet që Ligji për shtetësi i vitit 2004 parashihte që një qytetar mund të pajiset me dokument të shtetësisë edhe përmes posedimit të një dëftese të kryerjes së shkollimit në RMV, posedimit të librezës së mjekut, faturave të energjisë elektrike, ujësjellësit apo ngrohtores si dhe dokumente tjera të lëshuara nga ndonjë institucion shtetëror.

Të gjithë ne jemi optimist se për shpejt kohë do të gjejmë gjuhë të përbashkët me opozitën me qëllim që të zhbllokojmë punën e Kuvendit dhe me këtë të ndihmojmë qytetarët sepse në procedurë parlamentare janë pikërisht ligjet të cilat kanë të bëjnë me pakot ekonomike kryesisht ndihma financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit.

Me këtë bllokadë të paarsyeshme, opozita ka lënë mbi 16 000 punëtorë pa rroga.

I kujtojmë opozitës se Qeveria nuk ka plan B për të shpëtuar qytetarët nga kjo krizë që ka kapluar vendin dhe jo vetëm, nuk ka alternativa tjera se si të ndihmojë qytetarët apo bizneset të cilët kanë mbetur pa paga dy muajt e fundit, për shkak të masave të bllokuara të pakos së pestë pikërisht nga opozita shqiptare.

Të nderuar,

Dëshiroj me këtë rast të përmend edhe manipulimet e ditëve të fundit të opozitës shqiptare, e në veçanti të deklaratave kontradiktore dhe jokonsistente të krerëve të tyre të cilat nuk kanë të ndalur.

Ata brenda pak ditësh kanë dalë me qëndrime diametralisht të kundërta dhe në kundërshtim me veten e tyre dhe qëndrimet e tyre partiake, e kjo sigurisht që nuk është në rregull pasi që vetëm rritë hutinë tek qytetarët tanë.

Në disa paraqitje para mediave, Ziadin Sela mund të dëgjohet qartë se si manipulon me opinionin shqiptar në vend. Deklaratat e tija sa janë joserioze aq janë dhe tragjike pasi që ai përmes manipulimit me numrat e personave që nuk kanë nënshtetësi po tenton të përfitojë pikë të ulëta politike.

Sela herë thotë se mbi 70 000 shqiptar nuk kanë shtetësi, e herë thotë se 7 000 ose më pak, që është një dallim skajshmërisht i madh dhe shumë joserioz.

Njejtë si edhe për regjistrimin e popullësisë, vetë kërkuan shtyerje ndërsa pastaj e kundërshtonin ndërsa në fund as që u përpoqën që ta pengojnë.

Ne si BDl, i bëjmë ftesë opozitës shqiptare që të ndalojë së manipuluari me ndjenjat e shqiptarëve dhe njëherë e mirë të përcaktohet të bëj rolin e opozitës së vërtetë, të jetë korrektor i pushtetit dhe të kryej obligimin që kanë marrë nga populli.

Ju faleminderit.

Loading...