Intervista e plotë e Ziadin Selës për “Evropa e Lirë”, flet për temat aktuale

Shpërndaje

Intervista e Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela për “Evropa e Lirë” në gjuhën maqedone.

Përkthimi në shqip:

Gazetari: Zotëri Sela, Ju para pak kohësh e kaluat virusin korona dhe tani jeni i imunizuar, por në qoftë se vaksinat arrijnë, a do të vaksinoheni dhe cilën vaksinë e preferoni Ju?

Sela: Po, do të vaksinohem dhe do ta kisha marrë secilën vaksinë e cila do të ishte në dispozicion apo secilën vaksinë që do ta merr çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gazetari: Ju pyes edhe si opozitar dhe si mjek-Si po përballohet qeveria me pandeminë?

Sela: Vet numrat që po i shohim dhe se ku është i ranguar shteti ynë në suaza botërore për nga vdekshmëria, për nga numri i të infektuarve për kokë banori, janë një tregues se qeveria nuk është duke përballuar gjendjen si duhet. Dhe nëse shtohet edhe vaksinimi, ne jemi të fundit në rajon, ndoshta edhe në suaza botërore jemi shteti i cili shumë më vonë filloi me vaksinim. Dhe kjo është duke ndodhur si fenomen, në qoftë se keni parasysh se cilat janë politikat e këtyre kompanive që prodhojnë vaksina, ato nuk lejojnë që asnjë shtet shtetit tjetër t’i jap vaksina, duke dashur kështu që të parandalojnë të bëhet biznes me shëndetin e qytetarëve në suaza botërore. Vet fakti që këtu te ne nuk kemi ministra dhe kryeministër të cilët janë bartës të funksioneve në shëndetësi, por kemi biznesmen të cilët vazhdojnë të kryejnë biznes dhe këtë e tregon skandali me kthimin e parave nga ana e qeverisë kineze. Pra, këtu e keni përgjigjen se përse ne nuk patëm sukses të marrim vaksina. Në sytë e këtyre kompanive që prodhojnë vaksina, ne jemi shtet i cili dëshiron të bëjë biznes me vaksinimin dhe se nuk jemi të interesuar të bëjmë imunizim për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Gazetari: Ju ishit kundër shtyerjes së regjistrimit. A ishte e mundur që të kryhej ky proces me mbi mija rishtaz në ditë të infektuar dhe me mbi dhjetëra të vdekur për çdo ditë?

Sela: Ne jemi duke zhvilluar një intervistë sot dhe shumë mirë kuptohemi në një distancë që kemi prej dy metra. E njëjta do të ndodh edhe gjatë regjistrimit. Plus, regjistrimi nuk do të mbahet në hapësira të mbyllura, por në vende të hapura. Më tregoni Ju mua se cili është rreziku? Para se të sjellet një vendim për datën e fillimit të regjistrimit, ne propozojmë që regjistrimi të mbahet diku gjatë kohës së verës, duke supozuar se deri atëherë popullata do të imunizohet. Por, kjo nuk është arsye, që për shkak të virusit korona të jetë e nevojshme të shtyhet regjistrimi. Ne frikësohemi se jo vetëm që do të shtyhet procesi, por edhe do të ndërpritet. Në këtë shtet, para dhjetë viteve u ndërpre regjistrimi. Fatkeqësisht, ky është një rregull, në qoftë se diçka ndodh për herë të parë, mund që edhe asnjëherë të mos përsëritet, por në qoftë se është duke ndodhur për herë të dytë, atëherë do të ndodhë gjithmonë.

Gazetari: Jeni duke e bllokuar pakon e pestë të masave për ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë gjatë krizës kovid duke e kushtëzuar me ligjin për shtetësi. A nuk mundet kjo të pres, duke patur parasysh se ka njerëz që me muaj nuk kanë marrë pagë?

Sela: Por, nuk është e vërtetë, kjo është një gënjeshtër e madhe. Ne nuk jemi duke bllokuar pakon, ne kemi parashtruar amandamente. Por, cili është komisioni përgjegjës që po debaton rreth kësaj pune, pasi që ja erdhi koha për ta thënë të vërtetën në kët temë. Ky është komisioni për finansim dhe buxhet e aty, njëjtë sikur në Komisionin për Çështje Evropiane, mund të ket edhe njëqindmijë amandamente, debati në këtë komision zgjat tri ditë. Më tregoni sa ditë dhe javë është duke u debatuar kjo çështje, që ne e kemi bllokuar pakon e pestë të masave ekonomike e cila pako duhet t’ju ndihmojë qytetarëve? Tërë muajin po tregohet kjo gënjeshtër dhe e pavërtetë para qytetarëve.

Gazetari: A do t’i bllokoni?

Sela: Ne do të bllokojmë çdo gjë që mundemi, tërë kohën për sa ligji ynë qëndron i bllokuar me amandamente në komisionin përgjegjës ku është duke pritur.

Gazetari: A nuk mund të pres kjo, duke patur parasysh se kemi njerëz që nuk kanë marr paga, ndërsa ky është një problem që po vazhdon me dekada?

Sela: Por, për cilët njerëz jam duke folur unë? Këta njerëz për të cilët unë flas, këta qytetarë tridhjetë vite nuk marrin kurrfarë page, ata as nuk kanë të drejtë të konkurojnë për punë, nuk kanë të drejtë në siguri shëndetësore, nuk kanë të drejtë për një shtrat në spital që të vdesin në mënyrë dinjitoze. Edhe këta janë qytetarë. Këta jetojnë në kushte edhe më të vështira nga kategoritë tjera të qytetarëve.

Gënjeshtër ështe se ne e kemi bllokuar pakon, sepse ne, sado që të dëshirojmë të bllokojmë, kjo zgjat tri ditë. Të gjithë amandamentet tjerë, tri ditë pasi që të bllokohet, përkatësisht do të debatohet për amandamentet, të gjithë amandamentet tjerë që do të mbeten të padebatuara hidhen poshtë dhe ata mund të vazhdojnë me dhënien e ndihmës për qytetarët. Por, sipas të gjitha gjasave duket se këta ndoshta nuk kanë para, e tani thonë-le të gjejmë një arsyetim në këtë çështje që janë duke e bërë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Kjo është gënjeshtër. Gënjeshtër e cila tregohet nëpër konferenca për shtyp, e në fakt duhet t’ju kërkojnë falje qytetarëve që janë duke luajtur me gjendjen e tyre të vështirë.

Loading...